Arbëri

Dalja në treg të hapur godet ndërmarrjet publike

Ndërmarrjet publike, janë goditur nga rritja e çmimit të energjisë elektrike pas detyrimit për të kaluar në treg të hapur. Vetëm për muajin qershor, ujësjellësi rajonal që mbulon Prizrenin e komunat përreth, e ka pranuar faturën 110 mijë euro më të lartë se për qershorin e vitit të shkuar

Për 110 mijë euro i është rritur fatura e energjisë elektrike Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Hidroregjioni Jugor, qershorin e këtij viti krahasuar me atë të vitit të shkuar. 

Në pesë muajt e parë të 2025-s, ndërmarrja që furnizon me ujë banorët e komunave të Prizrenit, Suharekës, Malishevës dhe Dragashit pati rritje mesatare të faturës së rrymës për 7%, por për qershor, rritja shkoi në 132%. 

Qershori ishte muaji i parë që “Hidroregjioni Jugor” nuk u bleu rrymë nga KESCO si Furnizues Universal, por energjinë e mori nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit, si të gjitha ndërmarrjet me mbi 50 punëtorë ose me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. 

“Deri në muajin maj, energjia elektrike përbënte mesatarisht rreth 20% të kostos së përgjithshme të operimit. Kjo përqindje pritet të ndryshojë pas pranimit të faturave të reja... pritet të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në mirëqenien ekonomike të ndërmarrjes”, thuhet në një përgjigje të shkruar të kompanisë “Hidroregjioni Jugor”.

Në këtë ndërmarrje kanë thënë se ende nuk i kanë pranuar faturat për muajin korrik.

Edhe në Postën e Kosovës kanë thënë se rritja e faturave të energjisë do ta sfidojë ndërmarrjen. 

“Energjia elektrike përbën rreth 9% të kostove të operimit për ndërmarrjen (pa përfshirë shpenzimet e personelit dhe ato te zhvlerësimit/amortizimit). Nëse do të ketë ngritje të kostove të kësaj kategorie, normalisht që çdo ngritje do të jetë sfiduese”, thuhet në një përgjigje të Postës.

E në ndërmarrjen që menaxhon me hekurudhat kanë thënë se përderisa ende nuk është rehabilituar linja hekurudhore Han i Elezit-Leshak, nuk mund të bëjnë matje rreth pasojave afatgjate të rritjes së çmimit të energjisë. 

“‘INFRAKOS’ operon me kërkesa minimale sa u përket shpenzimeve të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e kësaj ndërmarrjeje.

E, sipas Blendi Hasajt, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, pikërisht te ndërmarrjet që merren me furnizim me ujë, tarifa e rrymës përbën pjesën më të lartë të kostos së përgjithshme të operimit të kompanisë. Sipas tij, kjo rëndon mirëqenien financiare dhe një pjesë e madhe e tyre, vitin e mbyllin me bilanc negativ financiar.

“Më problematike do të jetë për disa ndërmarrje që veçse janë duke operuar me humbje dhe për të cilat kosto e energjisë elektrike del të jetë një komponentë relativisht e lartë. Veçmas po flas këtu për kompanitë rajonale të ujit, apo ujësjellësit, të cilat realisht nëse nuk ka një ndryshim tarifor të shërbimeve të tyre, zgjidhja e vetme do të jetë që qeveria të ndërhyjë dhe subvencionojë ato”, ka thënë Hasaj.

Në mars të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë njoftoi për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset e mëdha. Ky vendim, përpos afro 1000 kompani private, përfshiu edhe të gjitha ndërmarrjet publike qendrore, por edhe ato regjionale të Ujësjellësit. 

Ndërsa kompanitë e sektorit privat protestuan, ato publike, një pjesë e madhe e të cilave kanë vështirësi të theksuara financiare, presin ndihmën e aksionarit-qeverisë nëpërmjet subvencioneve, e si mundësi e kanë edhe shtrenjtimin e shërbimeve.

Së fundi, Gjykata Komerciale ka anuluar njoftimin për dalje në treg. 

Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, është i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së është dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.

E pas vendimit të Komerciales, avokati Ardian Bajraktari ka thënë se njoftimi i ZRRE-së nuk mund të prodhojë efekte.

“Përcaktohet se ky njoftim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë anulohet, përkatësisht pezullohet në tërësi, e kjo nënkupton se ky njoftim është i pezulluar dhe rrjedhimisht i njëjti nuk mund të prodhojë efekt as për palën përkatëse dhe as për subjektet e tjera, për faktin se figurimi i faktit se është në tërësi, nënkupton se ky njoftim është i pezulluar përderisa do të bëhet i plotfuqishëm vendimi në rastin konkret”, ka theksuar Bajraktari. 

Në vendimin e Gjykatës thuhet se njoftimi të cilin ZRRE-ja e ka publikuar më 12 mars për liberalizimin e tregut energjetik është i kundërligjshëm, ngase përbën detyrim për palët dhe ka efekte për të gjitha bizneset që kalojnë në treg të lirë, si dhe nuk i plotëson kriteret e një akti administrativ.

Komercialja e ka konsideruar të kundërligjshme edhe pikën 4 të vendimit të marrë nga ZRRE-ja më datë 5 prill për liberalizim të tregut, nën arsyetimin se nuk i ka përcaktuar qartë disa pika të kalimit të bizneseve në treg të lirë energjetik.

Në ZRRE nuk u janë përgjigjur të enjten pyetjeve të adresuara nga KOHA në lidhje me vendimin e Gjykatës Komerciale.