Ka përshkallëzuar në konflikt fizik debati i nisur paraditen e së enjtes në Kuvendin e Kosovës. Kur ndaj kryeministrit Albin Kurti hodhi ujë deputeti Mërgim Lushtaku, në drejtim të këtij deputeti gjuajti me shishe uji zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Nga ky moment u përfshinë edhe të tjerë deputetë e anëtarë të Qeverisë, të cilët shpërndanë grushte. Dajaku zgjati me minuta dhe u deshën orë që normaliteti të kthehej në sallën plenare
Në arenë grushtesh është kthyer salla plenare e Kuvendit të enjten.
Deputetë të subjektit kryesor në opozitë, Partisë Demokratike (PDK), dhe anëtarë të kabinetit qeveritarë e deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes vetëvendosje (LVV) u përfshinë në dajak masiv.
Tensionimit të situatës i parapriu debati për disa audioincizime të publikuara këtë javë, që tregojnë një bisedë mes shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe (LS), Slavko Simiq. Në të Kusari-Lila e pranon se ka komunikuar edhe me Milan Radojçiqin, lider faktik i LS-së që ndodhet në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara, dhe që është në arrati dhe dyshohet për vrasjen e politikanit të veriut Oliver Ivanoviq. Në audioincizime ajo dëgjohet tek flet me përçmim edhe për disa eksponentë të PDK-së.
Fillimisht në seancë opozita e akuzoi Qeverinë Kurti për bashkëpunim e koordinim veprimesh me Radojçiqin. E kur kryeministri doli në foltore t’u kundërvihej akuzave, nisën aksionet e opozitës.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, vendosi në anën ballore të foltores një fotografi të fytyrës së kryeministrit Albin Kurti me hundë të gjatë, e kolegët e saj thirrën në kor “rrenc” e “mashtrues”.
Por, menjëherë atë e hoqi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku kapi shishen e ujit që kishte përpara, bëri hapa në drejtim të foltores dhe e gjuajti me ujë fillimisht Kurtin e më pas edhe Bislimin.

Bislimi u kundërpërgjigj ndryshe – e gjuajti me shishe Lushtakun.
Pas këtij momenti nisi konfrontimi fizik. Ministri Hekuran Murati dhe kolegia e tij Albulena Haxhiu vrapuan për të hyrë në mes. Ndërkaq ndaj Bislimit, përpos Lushtakut, u sulën edhe deputetët e PDK-së, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu, Rashit Qalaj.
Nga ky moment nisën grushtet, që zgjatën me minuta dhe në dajak u përfshinë edhe deputetë të tjerë të të dyja kampeve.
Gjatë përleshjes, Bislimi është goditu me shuplakë nga Lushtaku, por të cilit ia ktheu me grusht.
Ministri i Financave u godit nga deputetët Beqa e Haxhiu.
Ndonëse pjesëtarë të shërbimit të sigurisë në Kuvend intervenuan, dajaku nuk pushoi. Përplasja zgjati me minuta të tërë. Edhe mbrojtja e afërt e siguroi kryeministrin Kurti, në kohën sa përleshja mes deputetëve vazhdoi.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca thirri policinë të ndërhyjë, ndonëse sipas Rregullores së Punës së Kuvendit ajo ftohet vetëm në rastin kur kryesuesi i seancës merr masën “largim nga seanca plenare” për një deputet apo anëtar të Qeverisë, dhe deputeti ose anëtari i Qeverisë nuk pranon të dalë nga salla. Sipas Rregullores, në rrethanë të tillë, kryesuesi “ndërpret seancën dhe urdhëron shërbimin e sigurisë në Kuvend në zbatimin e masës”.
Zhvillimet aktivizuan edhe organet e drejtësisë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”. Në njoftim është bërë e ditur se gjithashtu e ka autorizuar Policinë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast. Deputeti Lushtaku bëri të ditur se është ftuar për intervistë.
Pas përleshjes, deputetë të PDK-së u barrikaduan te foltorja. Ndonëse pati përpjekje për të vazhduar me rendin e ditës, me zhurmë dhe veprime të tjera u pamundësua rikthimi i normalitetit. Kryeparlamentari vendosi për pauzë dyorëshe.
Pas pauzës, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se episodi i rrahjes në sallën plenare është ditë e rëndë për Kosovën.
Pas kthimit në seancë, ai tha se kryeministri Kurti ka hequr dorë nga fjala e tij në seancë me qëllim të uljes së tensioneve në Kuvend.
“Ne i kemi betejat tona, ne i kemi mosmarrëveshjet tona. Si forca politike i kemi papajtueshmëritë tona të thella ndonjëherë, por ato mospajtime gjithmonë, le të themi se i bëjmë nder vendit nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimumit normal të funksionimit të institucioneve demokratike që monitorohen prej qytetarëve, por edhe botës së jashtme”, tha Konjufca. “Po ju bëj thirrje si kryetar i Kuvendit që të merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi të kalojmë këtë ditë të vështirë dhe momente të vështira për vendin tonë”.
Ai bëri thirrje për një minimum të një sjelljeje, për të cilën tha se do t’i gëzonte qytetarët e Kosovës nëse e shohin.
“Ne nuk i kemi kursyer fjalët më të rënda për njëri-tjetrin, por prapë ato janë fjalë. Por në momentin kur kalohet nga fjalët në goditje, ato si veprime pastaj nuk janë veprime që trajnohen vetëm në Kuvend. Me ato pastaj është një pushtet tjetër i veçantë që merret”, ka thënë Konjufca. “A është për deputetin, si postin më fisnik, e denjë një sjellje e tillë. Meqenëse është kështu, bisedova edhe me kryeministrin – ai po heq dorë nga fjala e tij”.
Por partitë opozitare kërkuan ndërprerjen e seancës dhe fajësuan pushtetin për situatën e krijuar
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, akuzoi kabinetin qeveritar se provokoi dhunë në Kuvend.
“Ne adresuam një çështje shumë të rëndësishme dhe nëse për ju është e parëndësishme çështja e diskutimeve me njeriun që ka fletarrest, me Radojçiqin dhe dëshironi ta normalizoni, duke prodhuar skandal, për mua është e pafalshme”, ka thënë ajo në foltore. “Sot nuk u gjuajt asgjë nga ana e opozitës. Sot u provokua me mjete demokratike performative një akt dhe një qëndrim i një grupi opozitar, apo u flladit më mirë thënë në këtë temë kryeministri dhe zëvendëskryeministri. Nxitja erdhi nga zëvendëskryeministri. Ju e provokuat dhunën dhe eskaluat situatën këtu. Kolegët tanë u mbrojtën këtu nga kolegët tuaj”.
Deputetët e dy partive të tjera opozitare, Lidhjes Demokratike (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk u përfshinë në përleshje. Por e gjykuan situatën. Edhe ata akuzuan pushtetin për dhunën.
Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se situata e zhvilluar gjatë paradites është e rëndë.
“Realisht ne këto situata i kemi parë më herët jo në atë shkallë. Degradoi situata kur ministrat e sulmuan deputetin... E kemi parë kryeministrin aktual duke i gjuajtur të gjithë deputetët këtu që janë me ujë e gaz, me sprej kryeministrin në fytyrë, e askush nuk e ka sulmuar me shishe fytyrës kurrë”, ka thënë Gashi. “Pra, ministrat në vazhdimësi janë sjellë dhunshëm ndaj deputetëve, i kanë ofenduar prej vendit”.
Në legjislaturën para se LVV-ja të vihej në pushtet, deputetët e kësaj partie, si dhe ata të AAK-së e të Nismës Socialdemokrate që tani nuk është pjesë e Kuvendit, për muaj rresht kanë mbajtur të bllokuar punën në legjislativ, nëpërmjet aksioneve brenda seancës. Ata kanë kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, si dhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke hedhur në disa seanca edhe bombole të gazit lotsjellës.
Bekë Berisha, ndonëse është deputet i AAK-së, ka akuzuar dikur partnerët partiakë, me të cilët ishin mbajtur gjallë kauzat për demarkacionin e asociacionin.
“Kjo është një lloj metode, të cilën e keni praktikuar ju për vite me radhë. Madje ka qenë edhe më ekstreme. Kjo situatë ka qenë e pashmangshme, pasi sot këtu janë përballur dy ide të vjetra që kanë mbizotëruar në popullin tonë për vite me radhë. Kjo ka qenë e pashmangshme dhe do të ketë konflikt gjithmonë këtu derisa kjo ideja e mashtrimit ka me rezistu me qenë në mesin tonë siç ka rezistu qysh ka qenë deri tani”, ka thënë Berisha. “Nuk mundet me u tejkalu kjo situatë dhe të themi hajde tash flasim për ligje”.
Deputetët e PDK-së bllokuan foltoren e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Glauk Konjufca paralajmëroi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të LVV-së.
Pasi ka marrë fjalën deputeti Adnan Rrustemi i LVV-së, ligjvënësit e PDK-së ia kanë hequr mikrofonin duke ia pamundësuar fjalimin.
Rrustemi ka ndërruar ulësen, por zëri i tij nuk është dëgjuar nga zhurmat e opozitarëve.
Në Kuvend, deputetët kanë shpalosur dy banerë me mbishkrimin “Zdravo” dhe fotografitë e kryeministrit Kurti e të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Kusari-Lila, të montuara me “hundën e Pinokios”.
Pas kësaj, ka pasur një tjetër konfrontim mes deputetëve të pushtetit me ata të PDK-së. Fillimisht janë tërhequr mes vete deputeti i LVV-së, Sali Zyba, dhe ai i PDK-së, Rashit Qalaj. Më vonë tensione pati edhe mes Hajdar Beqës së PDK-së dhe një deputeti të pushtetit.
Në një moment janë parë edhe shishe tek janë hedhur në drejtim të kryeministrit Kurti.
Ashtu siç u konsiderua “sebep” zëvendëskryeministri Bislimi për nisjen e rrëmujës në Kuvend, ai u përmend si arsye edhe për kthimin e normalitetit.
Tek pasi Bislimi lëshoi sallën plenare, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, doli në foltore dhe kumtoi se pas largimit të Bislimit, opozita heq dorë nga bllokimi i punës. Pak minuta më vonë, salla u braktis edhe nga deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Seanca, me një numër projekligjesh në rend dite, i zhvilloi punimet pa opozitën deri rreth mesnatës dhe miratoi një numër ligjesh.