Arbëri

Çollaku: Sektori privat do të plandoset nga efektet e pandemisë

Lirime nga puna, falimentime, kredi joperformuese në sektorin bankar, ndërprerje të zingjirit furnizues dhe rritje e çmimeve të caktuara, janë goditjet e para që shpërfaqen nga mbyllja selektive e aktiviteteve ekonomike, ka vlerësuar Pëllumb Çollaku, bashkëpunëtor i lartë i kërkimit në Institutin Riinvest, shkruan KOHA.

Duke folur për “valët goditëse” të pandemisë së COVID-19 në ekonominë e Kosovës, Çollaku në intervistën për KOHËN, ka thënë se të rrezikuara nga falimentimi janë posaçërisht bizneset të cilave u është urdhëruar mbyllja e përkohshme e tyre, si dhe bizneset që operojnë në informalitet. Parashikimet dy muaj pas shpalljes së gjendjes emergjente dhe vendosjes së kufizimeve, sipas tij, janë relative dhe duhet marrë me rezerva.

Nëse në një të ardhme të afërt vihet nën kontroll përhapja e virusit, ai thotë se Qeveria ka luksin të ndërmarrë veprime në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë. Në të kundërtën, shton ai, ajo do të detyrohet të përkujdeset për një tjetër pako emergjente. Ai këshillon Qeverinë që të jetë e përgatitur për situatat dhe skenarët e ndryshëm në të ardhmen, e edhe për “adresat” ndërkombëtare ku ajo kërkon fonde financiare.

Përmend Fondin Monetar Ndërkombëtar si institucionin më kredibil për mbështetjen e pakos emergjente dhe të rimëkëmbjes. Të tjera institucione, sipas tij, janë të vogla dhe të pamjaftueshme për të reaguar. Andaj, kërkon të mos humbet shumë kohë me to.