Arbëri

Çitaku akuzon Kurtin se po sulmon opozitën për të fshehur skandalet

Vlora Çitaku

Foto: Arkiv

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar se po sulmon opozitën për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e qeverisë së tij.

“Në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, për aferat e panumërta korruptive dhe për përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me energjinë, Kurti sulmon opozitën dhe e etiketon si patriarkale dhe të prapambetur”, ka shkruar Çitaku në Facebook, duke iu përgjigjur deklaratës së Kurtit në  mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo kujtoi se PDK-ja ka qenë e para që propozoi një grua për presidente – Flora Brovinën – dhe ka mbështetur gratë në pozita të larta politike në mënyrë të vazhdueshme.

Sipas saj, qëndrimi i PDK-së për të mos votuar ministrat e Qeverisë Kurti 2 është i qartë, dhe i takon Lëvizjes Vetëvendosje të propozojë një kandidat tjetër nga radhët e veta, ku, siç tha, janë edhe rreth 40 deputetë të tjerë, përfshirë shumë gra.

Çitaku përmendi edhe tri rastet ku, sipas saj, gratë janë sulmuar nga VV-ja.

“Valdete Dakën e sulmuan deri në shkarkim. Vlora Hysenin e shkarkuan. Gresa Cakën e sulmuan brutalisht, vetëm pse nuk mund ta shkarkonin. Ky është realiteti, jo propaganda”, ka shkruar ajo.