Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas dështimit të 50-të të seancës konstituive, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për përmbysje të rendit kushtetues.
Në fjalën e saj në foltoren e Kuvendit, Çitaku ka thënë se Kurti do të hyjë në histori, por do të hyjë me turp dhe pa suksese.
“162 ditë nuk janë shumë për Albin Kurti sepse për të kjo kohë është pjesë e një plani. Për përmbysjen e rendit kushtetues, për delegjitimimin e demokracisë dhe institucioneve dhe për zhbërjen e vet ADN-së së shoqërisë sonë. Nuk do të ja dalësh sepse kjo nuk është vetëm krizë politike, është krizë morale dhe ne duhet ta ndalim. Albin Kurti do të hyjë në histori, por do të hyjë me turp, ashtu siç ka qenë karriera e tij politike, pa asnjë sukses vetëm me përçarje dhe përbaltje. Historia nuk do të të harrojë Albin, por nuk do të të kujtojë me nder”, ka thënë ajo.
Çitaku gjithashtu ka thënë se më pak sesa koha prej kur ka përfunduar procesi zgjedhor, ka marrë rënia e Murit të Berlinit e çlirimi i Kosovës nga NATO-ja e UÇK-ja.
“Kanë kaluar 162 ditë nga përfundimi i procesit zgjedhor, 162 ditë pa institucione funksionale, pa një Kuvend të konstituuar, me një qeveri të uzurpuar.
162 ditë nuk janë pak. Në më pak se kaq ditë ka rënë Muri i Berlinit dhe është unifikuar Gjermania, në më pak se kaq ditë forcat e NATO-s së bashku me UÇK-në kanë çliruar Kosovën, në më pak se kaq ditë Kosova ka shpallur pavarësinë, ka miratuar Kushtetutën dhe ka marrë njohje të rëndësishme ndërkombëtare.
