Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka deklaruar se dërgimi i trupave të sigurisë nga Kosova në Gazë i jep mundësi shtetit që të portretizohet si faktor që ka kapacitete edhe për të eksportuar siguri.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Çipa ka thënë se përpjekja e Kosovës për t’u angazhuar në mision paqeruajtës në Gazë e ngrit pozitivisht pozitën ndërkombëtare të saj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Mendoj se përtej numrave specifikë që do të alokohen nga Kosova apo Shqipëria për shkak se janë vende që kanë kapacitete të limituara ushtarake, qoftë në burime njerëzore apo financiare dhe burime operacionale, ajo që është e rëndësishme është të kemi një gatishmëri dhe dëshirë për t’u pozicionuar si faktor eksportues i sigurisë dhe për të kontribuar në një mision që është jashtëzakonisht shumë delikat siç është ky që portretizohet tash në Gazë. Përpjekja dhe dëshira e Kosovës dhe Shqipërisë për t’u angazhuar pozitivist mendoj se është një balancë që i shton kredo politike dhe ndërkombëtare të dyja vendeve, specifikisht Kosovës që deri sot ka qenë konsumuese e madhe e sigurisë nëpërmjet misioneve të NATO-s dhe më parë nga ndërhyrja ndërkombëtare aty, kështu që ndryshon tani pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Derisa ka përmendur kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për presidentin Donald Trump - në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington – që “të bëjë diçka” lidhur me gjykimin e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, Rama e ka zgjedhur momentin e duhur për ta ngritur këtë çështje në mënyrë që të marrë vëmendje ndërkombëtare.
“Mendoj se z.Rama bëri shumë mirë që e ngriti këtë çështje dhe në spektrin më të gjerë i shërben përpjekjes për ta mbajtur në vëmendje një proces që ka qenë jonormal nga mënyra se si është ndërtuar dhe mandati i tejkaluar i prokurorisë dhe gjykatës speciale dhe nga përpjekja që është bërë tash për të rritur kërkesën maksimale të dënimit të akterëve në fjalë në mënyrë të paparë më parë në shkallë të tillë. Kryeministri Rama e ka zgjedhur me kujdes momentin për ta ngritur këtë çështje për të marrë vëmendje që do të merrte nga ndërkombëtarët. Është arsye shumë e mirë për të shfrytëzuar këtë moment për të mbajtur presionin ndaj të gjithë atyre faktorëve dhe aktorëve të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë këtë proces në dëm të Kosovës dhe në dëm të luftës çlirimtare të Kosovës”, ka theksuar ai.