Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri. Tre muaj para se t’i skadojë mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti është më i matur nëse e përkrahin Osmanin edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar. Sipas tij, një test dhe indikacion se si mund të ecet përpara edhe në çështjen e presidentit është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojitet mbështetje edhe e deputetëve të opozitës.

Kurti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë, miratimi i buxhetit dhe pastaj të mendohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, thotë ai.

Kurti, i cili është edhe lider i LVV-së, parti e cila sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e konsideron të nevojshëm takimin me Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër në krye të vendit.

Sipas tij, sigurimi i 80 deputetëve në sallë në momentin e zgjedhjes së presidentit është një vështirësi e konsiderueshme.

“Tash, ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet të votojmë buxhetin. Unë besoj që këto janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do t’i shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe të diskutojmë të gjitha gjërat. Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi. Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, deklaron ai.

Duke folur për mundësitë që partitë e opozitës, dhe veçanërisht LDK-ja, të qëndrojnë në sallën plenare kur votohet presidenti, Kurti tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.

“Për besë nuk e di. Ky viti 2025, me një qasje bllokuese e barrikaduese të partive opozitare, më ka çuditur edhe mua. Po të më thoshte dikush para një viti që viti 2025 do të ishte ashtu siç u bë, mund të dukej me shumë pak gjasa ose pa asnjë gjasë. Mirëpo ja që ndodhi. Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor”, thekson ai.


Kurti flet për formimin e qeverisë

Kurti tha se formimi i qeverisë së re do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror Zgjedhor, raporton "KosovaPress".

“Sapo të certifikohen rezultatet nga Komisioni Qendror Zgjedhor, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë, me kryesinë e kuvendit, dhe të formohet qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026. Janë edhe disa vendime të tjera për mbledhjen e parë, por natyrisht më i rëndësishëm është buxheti”, thotë Kurti.

Sa i përket bashkëqeverisjes, Kurti thotë se prioritet do t’u jepet partive politike të komuniteteve jo-shumicë, jo-serbe, me të cilat ka pasur bashkëpunim edhe në legjislaturat e kaluara, përfshirë edhe subjektin politik të Nenad Rashiq. Thekson se bashkëpunimi me disa subjekte të tjera është bërë më i vështirë gjatë vitit 2025, por nuk e përjashtoi plotësisht.
“Ne se sa mund të kemi komunikim e bashkëpunim me partitë e tjera, duhet ta shohim shumë shpejt, sepse duhet t'i votojmë këto marrëveshje ndërkombëtare. Pra është shumë e rëndësishme që mos të vonohemi më për 880 milionë euro të planit të rritjes së Bashkimit Evropian, ku dy të tretat, përafërsisht, janë kredi, ndërkaq një e treta janë grante. Ndërkaq në anën tjetër, gjithashtu i kemi edhe 90 milionë euro prej Bankës Botërore mbështetje për buxhetin. I kemi edhe 20 milionë euro të tjera për çerdhet për fëmijë, dhe 20 milionë euro të tjera për sistemin informativ shëndetësor. Pra, shumë shpejt do ta shohim ne se a do të mund të bashkëpunojmë me opozitën sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq, sa i përket qeverisë, nuk do të ketë kurrfarë problemi për formimin e shpejtë të qeverisë. Aktualisht vonesat janë derisa të bëhet numërimi i plotë i votave dhe certifikimi i rezultatit”, thekson Kurti.

Duke folur për kabinetin qeveritar, Kurti thotë se nuk priten ndryshime të mëdha, porse nënvizon se do të ketë konsultime të reja brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe me partnerët e koalicionit.

Cili do të jetë kabineti qeverisës, tregon Kurti


“Unë nuk mund të them që do të ketë ndryshime të mëdha, nuk do të ketë ndryshime të mëdha, por nuk mund të them as që do të jetë identike. E para, duhet ta presim rezultatin e zgjedhjeve dhe tash ju e keni parasysh që qytetarët bëjnë dy lloj zgjedhjesh: së pari zgjedhin subjektin politik, më pastaj zgjedhin kandidatët përbrenda subjektit politik, dhe aty ka ndryshime. Kemi deputetë që janë zgjedhur për herë të parë, kemi deputetë që janë konfirmuar edhe më fuqishëm, kemi të tillë që kanë ngecur ca. Duhet t'i kemi të gjitha në konsideratë para se ta marrim vendimin përfundimtar dhe ne jemi ekip i gjerë. Pra nuk është çështja vetëm renditja në hierarki, qoftë ajo brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo jashtë saj në popull sa vota ka marrë kush, por kush, ku, për çka, kur, janë po ashtu shumë të rëndësishme. Domethënë, ne duhet ta shohim veten tonë individualisht në funksion të ekipit që e ndërtojmë, e që është bashkëdyzim i mazhorancës në Kuvend me kabinetin qeveritar” thotë Kurti.
 

Kurti thotë se për të vazhduar dialogu, Serbia së pari duhet ta dorëzojë Radoiçiqin

22 o. më parë / 4 jan 2026 17:13
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dialogun me Serbinë në mandatin e radhës.

ShBA-ja në shtator të vitit të kaluar pezulloi dialogun strategjik me Kosovën. Kurti thotë për KosovaPress se të gjithë zyrtarët që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme po punojnë intensivisht për largimin e pezullimit të dialogut strategjik.

Ai thekson se janë në komunikim të rregullt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të gjitha çështjet që janë të diskutueshme t’i sqarojnë. Sipas tij, në këtë mënyrë, edhe në aspektin diplomatik, t’i kenë marrëdhëniet e shkëlqyeshme.

“Ka pasur një pezullim të planifikimeve dhe përgatitjeve për dialogun strategjik. Ne, me kanalet tona zyrtare shtetërore, të gjithë zyrtarët shtetërorë që kanë përgjegjësi në politikën e jashtme, punojnë intensivisht. Ne jemi në komunikim të rregullt me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu në Prishtinë, në mënyrë që të gjitha ato çështje që janë diskutabile t’i sqarojmë dhe në këtë mënyrë edhe në aspektin diplomatik t’i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme, ashtu siç i kemi në aspektin e mbrojtjes dhe të sigurisë, por do të thosha edhe në aspektin e zhvillimit dhe të energjisë, sidomos tash që u vazhdua programi kompakt, nëpërmjet të cilit nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit ne marrim 202 milionë dollarë grant, jo kredi, grant, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për bateri me kapacitet 170 megavat, e për dy orë mund të akumulojnë 340 megavat-orë, meqenëse energjia e ripërtërishme do të vazhdojë të jetë fokusi ynë në bazë të strategjisë, 1300 megavat shtesë deri në vitin 2031”, thekson ai.

Kurti, partia e të cilit ka fituar mbi 50 për qind në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, insiston se raportet me SHBA-në do të mbeten të forta.

Sa i përket dialogut me Serbinë në mandatin e radhës, Kurti thotë se do të insistojnë sërish për nënshkrimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të dakorduar në vitin 2023.

Krahas kësaj, ai thotë se për të vazhduar dialogu duhet që kryeterroristi Milan Radoiçiq t’u dorëzohet organeve të sigurisë në Kosovë.

“Ne jemi për t’i zbatuar ato plotësisht, por ne kemi thënë që për të pasur garanci juridike dhe shprehje të vullnetit të mirë, duhet t’i nënshkruajmë. Kjo është refuzuar nga Serbia, ndonëse Bashkimi Evropian, plotësisht si ndërmjetësues, e mirëpret Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e zbatimit nga Ohri. Tash, për të vazhduar dialogu, ne duhet t’i zbatojmë marrëveshjet. Por për të vazhduar dialogu, natyrisht, ne kemi nevojë që Milan Radoiçiq, kryeterroristi që na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, t’u dorëzohet organeve të sigurisë në Kosovë, meqenëse ka aktakuzë me 160 faqe nga Prokuroria Speciale, së bashku me 44 paramilitarë të tjerë, të cilët deshën që në Banjskë të Zveçanit ta fillojnë një konflikt të përmasave të gjera, nga i cili ata shpresonin se do të mund të provokohej ndërhyrja e Serbisë për ta aneksuar veriun e Kosovës. Dështuan. Dështuan edhe me hedhjen në erë më pas të kanalit Ibër-Lepenc, për të cilin po ashtu ka aktakuzë, dhe do të dështojnë secilën herë. Veçse, marrëveshja për fqinjësi të mirë, evropiane, bazuar në marrëveshjen bazë të Brukselit dhe në aneksin e zbatimit nga Ohri, nuk mund të ecë përpara përderisa Milan Radoiçiq, sot që po flasim, është më i afërt me presidentin Vuçiç sesa edhe mbrojtja e tij e afërt”, thekson ai.

Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, në NATO, madje edhe në Bashkimin Evropian deri në përfundim të mandatit të tretë, Kurti është më i rezervuar, por thotë se Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta.

“Synimi ynë padyshim është që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës. Si Kosovë i kemi kryer të gjitha obligimet. Vetë fakti që me 82 për qind në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës kemi kaluar, tregon që Kosova e ka përmbushur pjesën e vet. Tash kanë mbetur disa shtete skeptike, të cilat e përdorin influencën e tyre. Ndërkaq, besoj që jemi një shtet që do të anëtarësohemi më parë në NATO e më pas edhe në Bashkimin Evropian. Krejt çka dimë e mundemi do të bëjmë që të ecim sa më shpejt. Por sa i përket Bashkimit Evropian, fillimisht na duhet që ta marrim pyetësorin nga Komisioni Evropian, sepse kemi aplikuar para tre vjetësh për anëtarësim, e njëkohësisht na duhet edhe statusi i vendit kandidat. Më herët ishim i vetmi vend që nuk kishte liberalizim të vizave, kjo u bë në mandatin që shkoi. Tash kemi mbetur i vetmi vend që nuk e ka statusin e shtetit kandidat dhe këtë duhet ta bëjmë”, thekson ai.
 

“Rreziku nga spiunazhi është më i vogël”, Kurti: Institucionet e sigurisë janë vigjilente

22 o. më parë / 4 jan 2026 17:02
Albin Kurti

Situata e sigurisë në Kosovë është më e mirë krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie, falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, thotë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në intervistën për “KosovaPress”, të parën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Kurti thotë se gjatë viteve 2024 dhe 2025 ka pasur bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, inteligjencës dhe drejtësisë, çka ka rezultuar me arrestime dhe ndjekje penale në raste të dyshuara për spiunazh.
Gjatë vitit 2025, si rrjedhojë e angazhimit të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe institucioneve tjera të sigurisë, janë zbuluar disa raste të dyshuara për spiunazh ku ka pasur edhe të arrestuar, masa paraburgimi dhe ngritje aktakuzash nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Në vitin që lamë pas janë arrestuar: Fatmir Sheholli, më 9 tetor 2025 në Prishtinë nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, Bojan Jevtiq - toger i Policisë së Kosovës i cili shërbente si shef operativ në policinë kufitare në pikën “Dheu i Bardhë”, Hysri Selimi, më 6 maj 2025 nën dyshimet për kryerje të veprës penale të spiunazhit në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) dhe Jelena Gjukanoviq, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë – e cila u arrestua më 28 shkurt 2025 nën dyshimet për spiunazh dhe fillimisht u ndalua për 48 orë nga Prokuroria Speciale pas hetimeve disa mujore.

Në intervistën për KosovaPress, kryeministri në detyrë, Albin Kurti thotë se bashkëpunimi ndërinstitucional, kurorëzuar me rezultate konkrete, kanë ndikuar drejtpërdrejt në parandalimin e përpjekjeve për sabotim, dezinformim dhe destabilizim të vendit, si dhe në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nënvizon se Kosova është përballur jo vetëm me kërcënime të drejtpërdrejta, por edhe me një luftë hibride, të cilën ai e cilësoi si konkrete dhe të organizuar, duke përmendur Serbinë dhe aleatët e saj, përfshirë Federatën Ruse, si burime të këtyre përpjekjeve destabilizuese.

“Është shumë mirë që në vitet 2024 dhe 2025 ka pasur një koordinim ndërinstitucional midis organeve të sigurisë, të inteligjencës dhe të drejtësisë, në ndjekjen e rasteve të tilla kur kemi pasur të bëjmë me spiunazh, i cili reflektohet shumë në sabotim dhe dezinformim, në përpjekje për destabilizim të vendit, të sistemit tonë politik, të cenimit të sovranitetit e të integritetit territorial. Dhe ne kemi qenë si qeveri gjithmonë në mbështetje të kësaj ndërmarrje, e cila është e re në vendin tonë dhe e cila na gëzon shumë për sigurinë në shtetin tonë. Veçse në anën tjetër, edhe na vjen një çikë keq që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Pra, Serbia dhe aleatët e saj, në radhë të parë Federata Ruse me presidentin despotik Putinin, nuk kanë zhvilluar vetëm luftë me sulme kinetike, me sulme terroriste, me agresion shtetëror, ku e kanë vënë në shërbim edhe xhandarmërinë, policinë, ushtrinë, e sidomos shërbimin e tyre sekret BIA, por ata njëkohësisht kanë bërë edhe një luftë hibride, që nuk është abstrakte, por është konkrete”, thotë Kurti.

Thotë se falë koordinimit të shtuar ndërinstitucional, rreziku nga aktivitetet e spiunazhit është në rënie.

“Besoj që rreziku është më i vogël se ç'ishte më herët dhe është duke u zvogëluar. Nuk e kemi ditur se sa në rrezik të madh kemi qenë, por tash nga të gjithë ata që u arrestuan për spiunazh, të gjithë janë ose në paraburgim, ose tashmë të dënuar. Dhe ju e dini që ne në Kosovë e kemi edhe EULEX-in që monitoron proceset gjyqësore. Kosova është vendi më demokratik në Evropën Juglindore që ende nuk është i integruar në Bashkimin Evropian, në Ballkanin Perëndimor siç quhet ndryshe, dhe këtu janë duke u zhvilluar procese gjyqësore fer, korrekt, të drejta. Prandaj qytetarët nuk kanë arsye për brengë, por natyrisht që institucionet e shtetit kanë shumë arsye për të qenë vigjilentë për shkak se lufta hibride e Serbisë shprehet shumë në përpjekjet destabilizuese, dezinformative dhe sabotuese të akterëve të ndryshëm, të cilët nuk janë të lidhur vetëm me Beogradin zyrtar, por edhe me Kremlin-in, i cili po e përdor Serbinë si një mjet për destabilizimin dhe cenimin e paqes dhe të sigurisë në gadishullin ballkanik”, thotë ai.
 

Kurti tregon se kur do të ekzekutohet paga e 13-të për sektorin publik

22 o. më parë / 4 jan 2026 16:54
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se qeveria e ardhshme synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë, përfshirë pagën e 13-të për administratën shtetërore dhe masa për përballje me çmimin e energjisë elektrike.

Në një intervistë për KosovaPress, e cila përkon edhe me 27-vjetorin e themelimit të këtij mediumi, Kurti thotë se me Ligjin e ri për Buxhetin e vitit 2026 parashihet paga e 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.

Sipas tij, normalisht paga e 13-të do të duhej të jepej në fund të vitit, por një nga vendimet e para të Qeverisë së re do të jetë që kjo pagë të jepet në fillim të vitit, sapo të formohet qeveria dhe të votohet ligji për buxhetin. Kurti theksoi se sa më herët të formohet qeveria, aq më herët do të realizohet edhe pagesa e 13-të.

"Me ligjin e ri për buxhetin e vitit 2026, ne parashohim edhe pagën e 13-të në administratën shtetërore. Pra, të gjithë shërbyesit publikë do ta marrin pagën e 13-të. Me fjalë të tjera, kush punon 12 muaj, i merr 13 paga. Normal do të ishte që pagën e 13-të ta marrin kah fundi i vitit, atje te dhjetori diku. Mirëpo, një ndër pesë vendimet e para që do të marr, përveç atyre që përmenda, do të jetë natyrisht edhe paga e 13-të në fillim të vitit. Tash kjo varet kur formohet qeveria dhe kur votohet ligji për buxhetin. Porsa të bëhen këto, do ta marrim vendimin edhe për pagën e 13-të dhe ajo do të jetë në fillim të muajit. Tash, ne më të mëdha i kemi gjasat që do ta formojmë qeverinë në muajin shkurt sesa në janar, po kushedi, ndoshta dhe në janar. Sa më herët që e formojmë qeverinë, aq më herët do të mund të jepet paga e 13-të, e cila padyshim që do të jetë në fillim të vitit për administratën shtetërore, të cilëve në fakt edhe u është rritur paga në përgjithësi gjatë qeverisjes në mandatin tim, për 47%, sepse aq është rritur buxheti total i pagesave për rrogat në administratën shtetërore, me ç'rast edhe është zvogëluar dallimi i pagës më të lartë me pagën më të ulët, prej 20 me 1 siç ka qenë, në 4 me 1. Pra, 47% është rritur paga përgjithësisht në administratën shtetërore, te shërbyesit publikë, dhe në të njëjtën kohë pesëfish është zvogëluar pabarazia aty", thotë Kurti.

Duke folur për çështjen e energjisë elektrike dhe çmimin e saj, Kurti tha se qëndrimi i Qeverisë do të bëhet i ditur në pranverë, duke rikujtuar se vendimet për tarifat i takojnë institucioneve të pavarura, si Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Megjithatë, ai nënvizon se Kosova vazhdon të bartë pasojat e privatizimit të padrejtë dhe të lirë të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.

Çmimi i energjisë elektrike, Kurti: Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë

"Ne do ta themi qëndrimin tonë në këtë pranverë kur të vijë koha, por ta keni parasysh që janë institucione të pavarura shtetërore, sikurse Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ajo e cila merret me këtë çështje. Ndërkohë që ne edhe më tutje jetojmë me një trashëgimi me të cilën nuk jemi pajtuar, por është fakt që shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë elektrike, Kosova e ka të privatizuar tepër lirë e padrejtësisht. Në anën tjetër, ndër vendimet e para që do të marrim, do të jenë edhe një pako e përgjithshme prej 200 milionë euro për përballje me inflacionin, për kategori të cilat kanë më së shumti nevojë dhe që preken më së rëndi: pensionistët, fëmijët, sektorët, sektori privat përkatësisht punëtorët aty, punëmarrësit, dhe gjithashtu edhe studentët. E paralelisht me këtë, edhe do ta rikthejmë atë skemën që kush kursen energji elektrike, shpërblehet. E kemi pasur para tre-katër vjetëve dhe ka qenë shumë e suksesshme. Pra, nëse dikush dëshmon, ta zëmë që në muajin shkurt të vitit 2026 ka kursyer energji elektrike duke konsumuar më pak kilovat-orë sesa në shkurtin e vitit 2025, menjëherë do të shpërblehet. 150 milionë euro në mandatin që do të vijë, do t'i ndajmë për efiçiencën e energjisë elektrike. Sepse ne shpenzimin suplementar, le ta quajmë ashtu, por në anën tjetër ekzistencial, që e kemi te energjia elektrike është për ngrohje. Tash merreni me mend, digjet linjiti si qymyr, punojnë turbinat e gjeneratorit, e shndërrojnë energjinë termike në energji elektrike, të cilën ne sërish e shndërrojmë në energji termike nëpër shtëpitë dhe banesat tona. Prandaj kogjenerimi do të jetë një zgjidhje. Do ta dyfishojmë kogjenerimin prej termocentraleve. Do të kemi gjithashtu edhe mundësinë për ngrohje nëpërmjet paneleve solare dhe do ta shohim edhe mundësinë që sa më shpejt të hyjmë në gazifikimin e linjitit, pra në kapacitete të reja energjetike. Besoj që e ardhmja afatshkurtër dhe afatmesme do të jenë shumë të mira edhe në këtë aspekt", tha Kurti.