Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se është shqetësuese përpjeka e kryetarit të Kuvendit Dimal Basha për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave, duke u thirrur në rolin e tij si interpretues i Rregullores gjatë seancës.
Cakolli këto komente i ka bërë në një reagim në Facebook, ku ka komentuar reagimin e Bashës i cili e quajti kundërkushtetues vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese.
Cakolli ka vlerësuar se aktgjykimi rikonfirmon se kush e propozon përfaqësuesin e komunitetit serb në Kryesinë e Kuvendit dhe deri ku shtrihet vullneti i shumicës shqiptare në zgjedhjen e tij.
“Konsideroj që reagimi i Kryetarit të Kuvendit është problematik sepse e barazon moszgjedhjen me mospropozimin dhe, mbi këtë bazë, e arsyeton kalimin në short. Gjykata ka thënë të kundërtën. Deputetët serbë nuk refuzuan të propozojnë. Ata i shfrytëzuan të gjitha të drejtat e tyre duke propozuar nëntë kandidatë. Fakti që këta kandidatë nuk i morën votat e shumicës parlamentare nuk e shndërron këtë në bllokadë nga komuniteti dhe nuk e aktivizon automatikisht mekanizmin e imponimit”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij Basha interpretimi i Rregullores së Kuvendit nga kryetari i Kuvendit është instrument për menaxhimin e procedurës në sallë e kurrsesi imunitet nga kontrolli kushtetues.
“Edhe më shqetësuese është përpjekja e Kryetarit për t’u pozicionuar si interpretues përfundimtar i normave, duke u thirrur në rolin e tij si interpretues i Rregullores gjatë seancës. Ky rol është instrument për menaxhimin e procedurës në sallë, e kurrsesi imunitet nga kontrolli kushtetues. Nëse kjo logjikë do të pranohej, çdo shkelje e neneve të Kushtetutës që lidhen me Kuvendin do të mund të justifikohej thjesht si “interpretim i rregullores”, duke e zbrazur nga përmbajtja vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij të drejtën e interpretimit të Kushtetues e ka vetëm Gjykata Kushtetuese.
“E tërë kjo situatë nuk ka të bëjë me një apo dy nene, por mbi të gjitha me parimin se kush e ka fjalën e fundit në interpretimin kushtetues. Dhe ajo fjalë nuk është e Kryetarit të Kuvendit apo cilitdo bartës tjetër institucional, por ekskluzivisht e Gjykatës Kushtetuese. Nëse secili funksionar fillon ta lexojë Kushtetutën sipas vetes dhe ta shpallë veten më kompetent se Gjykata, atëherë rendi kushtetues zëvendësohet me interpretime sipas interesit të momentit”, ka shkruar Basha.