Arbëri

Bytyqi: Rajonet e njohura për vërshime, pas luftës u shndërruan në zona banimi

Profesori i Hidrologjisë dhe Gjeografisë, Valbon Bytyqi, ka thënë se ka gjasa të mëdha për përkeqësim të mëtejmë të situatës nëse vazhdojnë reshjet, sepse siç thotë – tashmë toka është e ngopur me ujë.

Bytyqi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se në gjendjen aktuale kanë ndikuar më së shumti ndërtimet dhe mungesa e veprimeve nga shteti. Sipas, Bytyqit qytetarët nuk mund të ndërtojnë ku të duan.

Tutje ai ka thënë se shumica e ndërtimeve nga ana e qytetarëve janë të koncentruara përreth lumenjëve, rrjedhimisht edhe të ekspozuar ndaj vërshimeve.

“Përveç situatës e cila lidhet me kushtet natyrore një rol shumë të rëndësishëm kanë pasur edhe ndërtimet në Kosovë të cilat nuk janë të paraprira me plane të caktuara hapësinore. Pastaj me kufizim të zonave të ndërtimit dhe mënyra e ndërtimit të cilat e favorizojnë poashtu praninë e vërshimeve, përkatësisht dëmet të cilat i kemi parë. Përderisa jemi bërë lajm kombëtar sepse e pashë një lajm për Kosovën edhe në Australi, kjo tregon që ne nuk kemi arritur në këto vite të pasluftës të bëjmë plane konkrete për mënyrën se si të ballafaqohemi me rrezikshmëri të ndryshme natyrore ku hyjnë edhe këto meteorologjike. A ka mundur të jetë më mirë në mënyrën e menaxhimit? Konsideroj që po, por mos jemi vonë. Në shumicën e rasteve nga analizat e mia shoh që shumica e zonave të prekura, në hulumtimet e zonave të 80-ta janë zona të cilat kanë qenë të njohura për vërshime dhe aty ka pasur plane për rregullimin e shtretërve dhe janë pikërisht ato zona të cilat dëshmojnë që kemi koncentrim më të madh të popullsisë në periudhën e pasluftës. Kjo nënkupton që banorët në mënyrë vullnetare i ekspozohen rrezikut. Dikush mund të mos e ketë ditur por janë zona të njohura dhe pikërisht në ato zona janë bërë ndërtime”, ka thënë Bytyqi.

Këtu sipas Bytyqit vihet re edhe mungesa e veprimeve nga shteti. Barrën kryesore sipas tij e ka ministria përkatëse e cila duhet ta ketë një plan, e cila pastaj të përcillet te komuna. Një nga to sipas Bytyqit është edhe muret që i vendosim përreth shtëpive të cilat sipas tij e pengojnë rrjedhën e natyrshme të ujit.

Profesori Bytyqi thotë se niveli komunal me këtë rast duhet të paraqesë kushte pavarësisht që bëhet fjalë për pronë private.

“Përveç koncentrimit të një përqindje të madhe të qytetarëve për të banuar në afërsi të lumenjëve, shoh edhe një dukuri që është ndoshta e trashëguar nga e kaluara por që shumë praktikohet; prania e mureve mbrojtëse përreth shtëpisë. Pra, mure prej betoni, blloku e të tjera të cilat konsideroj që vetëm e acarojnë edhe më shumë situatën hidrologjike. Ndoshta dikush mund ta shpëtojë oborrin e vet por do ta dëmtoj fqinjin në cilëndo anë dhe rrjedhimisht pengon rrjedhën e natyrshme të ujit. Unë besoj se duhet pasur shumë më shumë kompetencë komuna në këtë rast që të paraqesë kushte pavarësisht se është pronë private”, ka thënë Bytyqi

Bytyqi tha se pamjet e ditëve të fundit e kanë treguar punën e inxhinierëve.

Sipas tij, ata nuk duhet të ndikohen nga investitorit por të bazohen në atë që njihet “zgjidhje e bazuar në natyrë”.

“Punën e inxhinierit e tregojnë pamjet e sotme. Në Kosovë inxhinierët në shumicën e rasteve nuk veprojnë sipas dijeve të tyre profesionale por janë të ndikuara nga investitori dhe nuk bazohen në atë që njihet ‘zgjidhje e bazuar në natyrë’, në të cilën merren parasysh pjerrtësia e terrenit në mënyre që uji të rrjedhë lirshëm, merret parasysh ndërtimi gjeologjik ose çfarë lloji i shkëmbit është në atë terren ku paraqiten vërshimet. Pastaj çfarë kushte klimatike ka në atë zonë. Këto ditë kanë qarkulluar informacione se reshjet nuk janë shumë të zakonshme. Në zonën e Mesdheut janë të zakonshme reshjet në dimër. Klima mesdhetare është klimë e lagësht në dimër dhe e thatë në verë”, ka deklaruar Bytyqi në emisionin "60 Minuta" në KTV.

Komuna të shumta të Kosovës janë përballur me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë së hënës mbrëma dhe gjatë gjithë ditës të martën. Për pasojë shumë shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme ndërsa është shtyrë edhe fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkolla.