Arbëri

Bytyçi: LDK-ja e pësoi më së shumti në debatet për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit

Njohësi i çështjeve politike, Seb Bytyçi, ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë partia që ka pësuar më së shumti në zgjedhjet e 28 dhjetorit, veçanërisht për shkak të debateve dhe qëndrimeve të saj rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb në Kuvend gjatë bllokadës institucionale vitin e kaluar.

Sipas Bytyçit, rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit është konfirmim i një fenomeni që ka ekzistuar prej kohësh në Kosovë – elektorati luhatës. Ai ka theksuar se ekziston një pjesë e votuesve që nuk janë të lidhur emocionalisht me asnjë parti politike dhe që votojnë në bazë të rrethanave dhe zhvillimeve konkrete politike.

“E pamë edhe në shkurt se një pjesë e elektoratit ishte larguar nga Vetëvendosje në krahasim me vitin 2021, por pas gjithë peripecive politike, ky elektorat u kthye sërish kryesisht te VV-ja, duke u larguar nga LDK-ja”, ka deklaruar Bytyçi në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka vlerësuar se kjo sjellje e elektoratit tregon një pjekuri më të madhe demokratike në Kosovë, pasi votuesit po marrin vendime të vetëdijshme dhe jo të bazuara vetëm në besnikëri partiake.

Duke folur për përgjegjësinë politike, Bytyçi ka theksuar se të gjitha partitë kanë pasur rol në bllokadën institucionale, por sipas tij, pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe zhvillimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarit serb, faji kryesor në perceptimin publik iu atribua LDK-së.

“Në këtë proces, LDK-ja ishte më e zëshme dhe në një farë mënyre u perceptua si avokate e Listës Serbe, gjë që ka ndikuar dukshëm në humbjen e mbështetjes elektorale”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo parti është kthyer në nivelin e votave që kishte në zgjedhjet e vitit 2021.

Sa i përket së ardhmes së opozitës, Bytyçi ka shprehur dyshime se ndryshimet strukturore të paralajmëruara do të sjellin ndryshime në qasje.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 57 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.