Historiani Jusuf Buxhovi ka kritikuar skenën politike në Kosovë duke thënë se po dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe të arriturën e madhe të shqiptarizmit – shtetin e Kosovës.
“Nga hiçi është krijuar shteti i Kosovës, sot shtetin e Kosovës gati e kemi kthyer në hiç. Duhet të kemi shumë parasysh këtë konstilacion. Shteti i Kosovës është e arritur shumë e madhe e shqiptarizmit. Është krijuar në sajë të ndërhyrjes drejtpërsëdrejti ushtarake të Perëndimit. Nuk përjashtohet angazhimi shekullor i joni, përpjekjet deri te gjaku, por ato s’do të mjaftonin fare po që se nuk do të ishte angazhimi ushtarak i NATO-s dhe i Perëndimit në këtë konstilacion. Prandaj kjo na obligon të jemi të përgjegjshëm. Shtetin e Kosovës ta shikojmë si të arriturën më të madhe, jo shtetin ta shikojmë si një plaçkë që të pasurohemi me të, që të luajmë me të dhe të gjithë segmentet e shtetit të Kosovës t’ia nënshtrojmë konstilacioneve të partive politike”, ka thënë ai.
Buxhovi ka thënë se parlamentarizmi në Kosovë funksionon me feude, grupe të ndryshme e me mafi politike.
“Këta tre faktorë e kanë diskredituar parlamentarizmin te ne deri në nivelet më të rënda të degradimit sa që edhe shumë qytetarë nuk dalin të votojnë fare. I kemi grupet e caktuara, kantonet, që i japin nga 5-6 deputetë. Sindroma e vjetër e votimit me një listë zgjedhore, që për hesapin tim është dashur moti të rregullohet, t’i kemi 8 njësi zgjedhore dhe jo që pas 15-16 vjetësh a 20 vjet i sheh të njëjtit deputetë. Shumë janë injorantë në kuptimin e qasjes politike e të mos flasim për gjuhën politike që e manifestojnë për konfrontimet e tyre dhe për përjashtimin e konsensusit”, ka shtuar ai.
Buxhovi ka thënë se nuk është optimist që konfrontimet politike e gjuha polarizuese nuk do të vazhdojnë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Jam gati i dëshpëruar me atë konceptin që të krijojmë kriza, në mënyrë që përmes tyre të mbijetojmë, e të dalim sikur dikush që e kall shtëpinë dhe pastaj del e thotë ta fikim zjarrin. Politika jonë të shumtën viteve të fundit është politikë e zjarrvënësve dhe zjarrfikësve. E ka treguar këtë veriu, edhe tërë proceset të tjera”, ka thënë Buxhovi.
Ai ka thënë se edhe debatet politike janë kthyer “në bordello”.
“Kemi një striptiz të faktorëve të ndryshëm që rrënojnë çdo normë, zhurmë që bëhet deri në ato fizike. Shumë prej tyre janë profesorë të fakulteteve e kanë autoritet. Çfarë mesazhi japin ata që dalin me të njëjtat pallavra shurdhojnë miletin”, ka deklaruar më tej historiani.