Në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar tash e një muaj u ikin ballafaqimeve direkte me mediat për temat që janë në interes të pacientëve. Kërkesat e KOHËS për intervista direkte janë refuzuar, njësoj siç janë refuzuar edhe lejet e drejtorëve të klinikave për të folur për çështje të caktuara. SHSKUK-ja kërkon që për çdo çështje t’i dërgohet pyetje përmes postës elektronike, ndërkohë që përgjigjet që jepen janë gati gjithherë të mangëta. Në Lëvizjen Fol dhe në Asociacionin e Gazetarëve bëjnë thirrje që të hapet për publikun ky institucion
Udhëheqësit e klinikave të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK) mund të kenë shumë kompetenca në punën që bëjnë, por një gjë e kanë të ndaluar – të flasin për mediat pa lejen e drejtorisë së përgjithshme të institucionit ku punojnë. E këto leje gjithnjë e më rrallë po i marrin.
Për t’u adresuar një problem apo shqetësim i pacientëve, ky institucion nën ombrellën e së cilës janë klinikat, po i kufizon dhe ndalon udhëheqësit e tyre që të japin sqarime para kamerës.
Qysh para një muaji, KOHA i është drejtuar SHSKUK-së me kërkesën për realizimin e disa intervistave me udhëheqës të klinikave, për temat që janë me interes për publikun, por ato janë refuzuar.
Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, ka thënë se transparenca e plotë është obligim i institucioneve publike.
“Transparenca e institucioneve publike është bazë e një demokracie të shëndoshë dhe e shtetit të së drejtës”, ka thënë Hasani. “Institucionet shëndetësore në veçanti, duke marrë parasysh rëndësinë e shërbimeve që ata i ofrojnë, duhet të jenë transparente dhe llogaridhënëse. Pra, të përgjigjen për punët që ata i kryejnë në mënyrë që kështu të justifikojnë edhe mjetet e ndara për këto institucione nga buxheti i Republikës së Kosovës”.
E Naile Dema Selmani, anëtare e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), bën thirrje që të gjitha institucionet të jenë të hapura në mënyrë të plotë për gazetarët.
“E kuptoj krejtësisht idenë e institucioneve që duhet të ketë kontrolle, e ku e di çka, mirëpo duhet edhe ato që ta kenë parasysh që janë në shërbim të opinionit publik dhe për të marrë vesh se çka po bëjnë ato, duhet nëpërmjet mediave. Rrjedhimisht, do të kishte qenë shumë mirë dhe iu bëjmë thirrje të vazhdueshme të gjitha institucioneve që të jenë sa më të hapura, të mos e komplikojnë – një milion rregulla e kërkesa për qasje në dokumente, për intervista e për lajme të tjera”, ka thënë Dema-Selmani.
Përgjigjet përmes postës elektronike, formë komunikimi që preferon SHSKUK-ja janë tejet të mangëta.
Në 10-ditshin e fundit, në interesimin e KOHËS për mungesën e barit Recormon për pacientët me dializë, si dhe për praninë e insekteve në Klinikën e Reumatologjisë, informatat janë kthyer përmes e-mailit, megjithëse kërkesa ishte të intervistoheshin drejtorët e klinikave përkatëse.
Për çështje të caktuara, disa udhëheqës të klinikave kanë shprehur gatishmëri për t’iu përgjigjur pyetjeve në intervistë direkte, por u është refuzuar leja nga SHSKUK-ja.
Në kërkesat dhe pyetjet e parashtruara zyrtarisht lidhur me listat e pritjes së pacientëve, mungesës së barnave, mosfunksionimit të ndonjë prej aparaturave apo moskryerjes së ndonjë shërbimi apo të tjera, ata nuk janë lejuar që të flasin direkt.
Naile Dema-Selmani, e cila vetë është gazetare, vlerëson se këto veprime, institucionet i bëjnë për t’i ikur ballafaqimit dhe sfidimit direkt nga punonjësit e mediave.
“Këtë po provojnë që ta vendosin si mënyrë të komunikimi dërgimin e komunikatave ose shkrimin me e-mail të pyetjeve-përgjigjeve ose një farë komunikimi, i cili u jep atyre komoditetin e përgatitjes, e fshehjes së disa informacioneve dhe çka është më e rëndësishmja, u jep komoditetin e mossfidimit, e këtë ne nuk e duam”, ka thënë ajo.
E njëjta vlen edhe në disa nga spitalet rajonale. Në rastet kur u kërkohen informacione për çështje të caktuara, udhëheqësit e këtyre institucioneve kërkojnë fillimisht që të merret leja zyrtare nga SHSKUK-ja.
Së fundmi, KOHA ka kërkuar të realizojë intervistë edhe me zëvendësdrejtoreshën e SHSKUK-së, Narqize Arenliu-Hoxhaj, si dhe ka pyetur në këtë institucion se përse po aplikohet kjo praktikë, por nuk ka marrë përgjigje.
E praktikë të njëjtë në disa raste kanë ndjekur edhe udhëheqësit e mëparshëm të këtij institucioni, si ish-ushtruesja e detyrës së drejtoreshës, Pranvera Zejnullahu-Raci, dhe ish-drejtori Valbon Krasniqi.