“Pikërisht sot më 17 shkurt është ditëlindja e tij”, thotë Bajram Hajrizi, teksa fshin me kujdes pllakën e varrit të Bujarit, që në moshë 19-vjeçare u vra në Reçak nga forcat serbe. “E deshi më shumë Kosovën sesa ditëlindjen e tij. Ia fali të gjitha Kosovës, që sot ne së bashku ta gëzojmë lirinë”
Në mesin e arsyeve se pse në ditën e Pavarësisë Bajram Hajrizi nga Reçaku, i erdhi vëllait në vizitë te varri, është edhe ditëlindja e tij. Bujari, një 19 vjeçar që më 15 janar të 1999-s u vra nga forcat serbe, të shtunën bashkë me pavarësinë do të festonte ditëlindjen e 45-të.
Në “Kodrën e Bebushit”, në vendin ku u masakruan shumica e civilëve të Reçakut, u gjet i masakruar edhe vëllai i Bajramit. Bajrami që 25 vjet më parë ishte 8 vjeç, kujton pak nga ndodhitë, por e ka fort të freskët lajmin që mori për vrasjen e Bujarit.
“Lajmin për vrasjen e vëllait e kemi marrë në Rashincë më 15 janar 1999. Atë ditë kemi mësuar së vëllai ka rënë martir së bashku me 44 civilë të tjerë të fshatit. Ka qenë e rëndë sidomos për prindërit pasi që ka qenë i ri, ka qenë vetëm 19-20 vjeç. Pikërisht sot më 17 shkurt është ditëlindja e tij”, thotë Bajrami teksa fshin me kujdes pllakën e Bujarit ku shënon dita e lindjes e ajo e rënies. “E deshi më shumë Kosovën sesa ditëlindjen e tij. Ia fali të gjitha Kosovës, që sot ne së bashku ta gëzojmë lirinë”.
Bajrami shpreh zhgënjimin se pas një kohe kaq të gjatë ende mungon drejtësia për viktimat. Ndihet pothuajse i pashpresë kur flitet për arrestimin, gjykimin a dënimin e atyre që ia vranë vëllain dhe bashkëfshatarët.
“Është një mungesë e madhe edhe te familjarët sepse ende nuk është shëruar varra e 1999-s, kur e kujtojnë që ata kanë rënë për këtë vend, por sot kriminelët nuk janë të gjykuar. Ata që i kanë shkaktuar këto masakra jo vetëm në Reçak, por edhe në të tjera vende, sot ata shëtisin lirshëm, i kanë postet më të larta në Serbi”, thotë Bajrami. “Nuk ka drejtësi për Kosovën”.
Për krimin e kryer në Reçak, është ngritur një aktakuzë e vetme, 24 vjet pas masakrës.
Bajrami thotë se tek më 2021-n, shteti mori një dëshmi nga prindërit e tij për rastin.
“Kemi pasur raste kur kanë ardhur policët, hetuesit kanë marrë dëshminë e prindërve për rastin që ka ndodhur, por pa rezultat. Kur ka qenë kjo? Ka qenë në vitin 2021”, thotë ai.
Brenga e tij është se provat po zbehen e dëshmitarët po vdesin, prandaj bën thirrje që drejtësia të mos lejojë që historia të tjetërsohet.
“Fatkeqësisht para disa ditëve e kemi humbur një dëshmitar kryesor, i cili ka qenë i mbijetuar në Masakrën e Reçakut (Bilall Bilalli). Çdo ditë e më shumë, dëshmitarët, të cilët e kanë përjetuar më së rëndi krimin në Reçak, sot janë të shtyrë në moshë, sigurisht disa i ka kapluar edhe harresa, disa ballafaqohen me sëmundje e trauma të luftës të cilat i kanë përjetuar. Shteti të cilin e deshën këta, sot nuk është. Derisa nuk do të kemi të dënuar, e ardhmja do të jetë brengë e madhe për familjarët”, ka theksuar Bajrami.
Përveç në ngecjet për sjelljen e drejtësisë, Kosova ende nuk ka shifra zyrtare se sa është numri i personave të vrarë gjatë luftës. Por, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare janë 13 mijë e 535 persona të vrarë, prej tyre 10 mijë e 800 shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër nga komunitetet e tjera.
Zyrtarisht nuk ka numër të saktë as për viktimat e dhunës seksuale, ndonëse supozohet të kenë qenë 20 mijë.
Shifra nuk ka as për dëmet materiale të luftës.
Të shtunën më 17 shkurt u dorëzuan dokumentet e para në Institutin e Krimeve të Luftës.