Ambasada e Britanisë në Kosovë ka reaguar pas fillimit të rrënimit të 11 vilave, të ndërtuara ilegalisht, pranë Liqenit të Ujmanit.
Ambasada e Britanisë ka thënë se po monitoron nga afër zhvillimet.
“Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku të prekurit mund të ushtrojnë të drejtat e tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportet se veprimet zbatuese kanë vazhduar ndërsa procedurat ligjore janë ende duke u zhvilluar. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, t’i adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të dëmtojnë besimin e publikut ose besimin ndërkomunitar”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Një ditë më parë, autoritetet nisën aksionin për rrënimin e 11 vilave të ngritura ilegalisht në zonën e Ujmanit. Veprimi u mor me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.
Bashkimi Evropian po ashtu ka reaguar, duke shprehur keqardhje për rrënimin e vilave pranë liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës të martën. Në një reagim të publikuar nga zyra e BE-së në Kosovë, është thënë se nuk është respektuar procedura ligjore. Madje është thënë se kjo s’ka ndodhur vetëm në këtë rast, por edhe në disa të tjera. BE-ja ka bërë thirrje për ndërprerjen e rrënimit.
Edhe
BE-ja kërkon ndërprerjen e rrënimit të vilave në Ujman
Po ashtu ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Kosovë, duke iu bashkuar BE-së në shqetësimin për rrënimin e vilave.
Në veri, ku u zhvillua aksioni, veprojnë struktura ilegale të Serbisë. Disa pronarë të vilave kanë thënë se parcelat i kishin marrë në shfrytëzim nga ndërmarrja publike serbe “Serbija Shume” dhe se për to kishin paguar qira. Por, në “Ibër-Lepenc” kanë thënë se toka është pronë publike e Kosovës, nën administrimin e saj dhe se për të nuk mund të vendosë asnjë ndërmarrje serbe.