Neil Holland, ambasador i Britanisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e ka vlerësuar si kërkesë urgjente formimin e Qeverisë së Kosovës. Ai ka thënë se Britania e Madhe po ashtu është e shqetësuar për mbylljen në veri të objekteve e zyrave që funksiononin me sistem të Serbisë.
Në një njoftim në uebfaqen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për raportin e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë për gjashtë muajt e fundit, Holland ka lavdëruar procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
“Ne vazhdojmë t’ua theksojmë përfaqësuesve kosovarë, urgjencën e formimit të qeverisë”, është cituar të ketë thënë ai.
“Mbretëria e Bashkuar ndan shqetësimet e theksuara në raport të misionit për nivelin e tensioneve në katër komunat veriore gjatë periudhës së raportimit. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga mënyra e pakoordinuar e mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime jetësore për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e shtetit dhe të mbështesë zotimet e Kosovës për shtet gjithëpërfshirës dhe shumetnik”, ka thënë tutje ai.
Po ashtu është përsëritur rëndësia për drejtësi dhe llogaridhënie për aktet e dhunës dhe është bërë thirrje që Serbia të bashkëpunojë për vënien përballë drejtësisë për përgjegjësit e sulmeve të 2023-s ndaj KFOR-it dhe në Banjskë dhe për hetime në sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Britania e Madhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen me konstruktivitet në dialog, ndërsa ka përsëritur po ashtu kërkesën që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Mospërmbushja e zotimeve, sipas Britanisë së Madhe, ka ndikime negative në jetën e përditshme te qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
Teksa është lavdëruar përparimi në luftën ndaj korrupsionit, Britania ka shprehur shqetësim për rënien në nivelin e lirisë së shtypit dhe ndikimin politik në media.
Në fund është përsëritur qëndrimi britanik si mbështetëse e fortë e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Edhe shtete të tjera të QUINT-it e kanë përmendur si urgjente nevojën për formim të Qeverisë së Kosovës, kur kanë kaluar gati 4 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve.
Legjislatura e re nuk është konstituuar për shkak të moszgjedhjes së kryeparlamentarit të ri. Teksa partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, dështoi të marrë shumicën me propozimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, në seancat e fundit procesi ka ngecur te moskalimi i propozimit të VV-së që votimi për kryeparlamentarin të jetë i fshehtë. Deri tash kanë dështuar 23 seanca, çdo dy ditë, nga 15 prilli.
Në javët e fundit, institucionet e Kosovës kanë mbyllur disa objekte që shfrytëzoheshin nga strukturat paralele serbe.