Arbëri

Breshri dëmton të mbjellat në disa fshatra të Skenderajt dhe Drenasit

Nga fillimi i pranverës, Shahin Tahiri nga fshati Klinë e Epërme e Skenderajt, bashkë me shtatë anëtarë të familjes, kishte nisur mbjelljen e tokës.

Për mbjelljen e afro 1 hektarë e gjysmë me kultura të ndryshme, deri tani investoi afro 7 mijë e 200 euro.

Por, breshri që ra të shtunën ia dëmtoi pothuajse të gjitha të mbjellat, disa prej të cilave në prag të vjeljes.

“Nga sipërfaqet e dëmtuara kemi gjithsej 20 ari serë që është dëmtuar, kemi 62 ari patate, 25 ari pasul 40 ari me kunguj, që në vlerë monetare duke i grumbulluar të gjitha këto kultura të dëmtuara, sepse ka edhe kultura që nuk janë dëmtuar. Vlera e kulturave të dëmtuara është diku rreth 20 mijë deri në 25 mijë”, ka thënë Shahin Tahiri, fermer.

Breshri dhe erërat e forta dëmtuan edhe serrën e ndërtuar vite më parë. Ai pret që Komuna t’u dalë në ndihmë për mbulimin dëmeve të shkaktuara.

“Për momentin nuk ka pasur vizitë as nga Komuna, as nga institucionet shtetërore, me përjashtim kryetari e kemi pa që ka hapur në Facebook një njoftim se ka formuar një komision për vlerësim të dëmeve, por konkretisht diçka nuk kemi”, ka thënë Tahiri.

Fatin e Tahirit e kanë pasur edhe shumë bujq të Komunës së Skenderajt dhe të Drenasit.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se ka formuar një komision për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

Edhe nga Komuna e Drenasit thonë se kanë dalë në teren për t’i vlerësuar dëmet që janë shkaktuar në kultura bujqësore, objekte banimi e vetura në disa fshatra.

Breshri gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar dëme në kultura bujqësore në disa komuna të Kosovës.