Reshjet e shiut që u shoqëruan me breshër kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore të fermerëve në Istog.
Kryetari i Komunës, Ilir Ferati, ka thënë se pas stabilizimit të situatës, komisionet komunale do të dalin në terren për vlerësim për t’iu përcjellë pastaj si raport Ministrisë së Bujqësisë për të marrë mbështetje.
“Menjëherë pas stabilizimit të situatës, nga dita e nesërme komisionet komunale do të dalin në terren për evidentim dhe vlerësim. Pas procesit të vlerësimit, raporti zyrtar do t’i përcillet Ministrisë së Bujqësisë, me shpresë për mbështetje sa më të shpejtë ndaj fermerëve tanë, me qëllim të tejkalimit të dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Uroj që pasojat të jenë sa më të vogla”, ka thënë mes tjerash Ferati në njoftimin e tij në Facebook.
Ndërkohë edhe ministri i Bujqësisë në detyrë, Armend Muja, ka thënë se nesër do t’i vizitojë fermerët e dëmtuar nga breshëri për të parë gjendjen dhe koordinuar hapat tutje me nivelin lokal.
“Nesër do të vizitoj fermerët e prekur nga breshëri në Komunën e Istogut dhe, sipas nevojës, edhe në komuna të tjera të prekura. Qëllimi i vizitës është të shoh nga afër gjendjen në terren, të dëgjoj shqetësimet e fermerëve dhe të koordinojmë hapat e mëtejmë me autoritetet lokale”, ka shkruar Muja.
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje urgjente dhe të ndaj buxhet për kompensimin e dëmeve.
Edhe
Mbi 5.7 milionë euro dëme nga vërshimet e janarit
Bajrami ka shkruar se qindra hektarë me kultura bujqësore janë dëmtuar në këtë komunë.
“Qeveria, e cila vetëm në javën e fundit të fushatës zgjedhore shpërndau qindra miliona euro për qëllime elektorale, duhet të mbajë mbledhje urgjente dhe të ndajë buxhet për kompensimin e tërë këtyre dëmeve. Kjo është detyrë e shtetit. LDK kërkon krijimin e një skeme të sigurimeve bujqësore, që fermerët të mos mbeten çdo vit në mëshirën e fatit”, ka shkruar Bajrami.

VIDEO: Istogu Sot