Borxhi total i konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina”, që përfshin amvisërinë dhe bizneset e vogla e të mëdha në tetë komuna ku kjo kompani menaxhon furnizimin me ujë, ka arritur në mbi 45 milionë euro.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, në një prononcim për Ekonomia Online ka paralajmëruar qytetarët se nëse nuk i paguajnë faturat edhe 16 ditë, do të shkojnë të përmbaruesi apo do të shkyçen.
Sipas saj, rreth 40 milionë euro janë borxhe të sektorit të amvisërisë, ndërsa mbi 5 milionë euro u përkasin bizneseve të vogla dhe të mëdha.
“Borxhi total i konsumatorëve si në sektorin e amvisërisë, po ashtu edhe të bizneseve të vogla dhe të mëdha ndaj shërbimeve të ujësjellësit, ujësjellës ky që menaxhon në 8 komuna në 40 për qind të territorit të Kosovës, është mbi 45 milionë euro. 40 milionë vazhdon të jetë borxhi i sektorit shtëpiak dhe mbi 5 milionë euro i sektorit të bizneseve të vogla dhe të mëdha”, ka theksuar Mjeku.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina” ka paralajmëruar se në rast të mosshlyerjes së obligimeve, kompania do të ndërmarrë masa ndëshkuese.
Mjeku ka sqaruar se shkyçja nga shërbimet e furnizimit me ujë mund të ndodhë në rast se konsumatori ka dy fatura të papaguara e lart, pasi paraprakisht t’i jenë dërguar tri deri në pesë vërejtje.
Sipas saj, përveç shkyçjes nga rrjeti i ujësjellësit, rastet mund të procedohen edhe te përmbaruesi privat.“Nga dita e sotme kanë 16 ditë afat që ta përmbyllin borxhin, por ka edhe lehtësira për
konsumatorët që nuk kanë kushte ekonomike, sepse e kuptojmë situatën në vendin tonë. Ata mund të paguajnë 10 për qind të borxhit total dhe pjesën e mbetur ta programojnë prej 12 deri në 36 muaj pa ndonjë kamatë shtesë. Shkyçja nga shërbimet e furnizimit me ujë ndodh sepse dy fatura të papaguara e lart janë borxh. Ne mund ta shkyçim secilin konsumator nëse paraprakisht kemi dërguar 3 deri në 5 vërejtje, kështu që shkyçja nga shërbimet e furnizimit me ujë, si dhe dërgimi i lëndës te përmbaruesi privat”, ka deklaruar Mjeku.