Institucionet publike dhe ato arsimore në Komunën e Ferizajt janë zhytur në borxhe të thella gjatë viteve të fundit ndaj kompanive të cilat menaxhojnë mbeturinat dhe ujësjellësin. Këto të fundit tashmë i kanë nisur procedurat ligjore për t’i arkëtuar borxhet e trashëguara.
Institucionet publike në Ferizaj janë zhytur në borxhe prej mbi gjysmë milion eurosh ndaj kompanisë rajonale të ujësjellësit, “Bifurkaconi”, dhe asaj për menaxhimin e mbeturinave, “Pastërtia”.
Në borxhe më të thella janë institucionet shkollore, ndërkohë që këto kompani, me vendim të bordeve të tyre, i kanë nisur procedurat e arkëtimit të mjeteve nëpërmjet përmbaruesve privatë.
Nazif Asllani, drejtor në kompaninë “Bifurkacioni”, thotë se kjo metodë e arkëtimit nuk është e dëshirueshme për kompaninë, por që deri më tani nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët me komunën për shlyerjen e borxheve.
“Pas afatit të skaduar për njoftim, 29 institucione janë dërguar në përmbarim dhe 8 persona fizikë, që kanë vlera të mëdha të borxheve mbi 5 mijë euro. Tash e tutje merret përmbaruesi me to. Në mesin e tyre si borxhli më të mëdhenj që i kemi cekur edhe në të kaluarën, i kemi shkollat”, ka thënë ai.
I njëjtë është rasti edhe me kompaninë për menaxhimin e mbeturinave. Naim Nuhiu, zëvendës i kryeshefit në “Pastërtia” në Ferizaj, ka thënë se që nga viti i kaluar pos institucioneve shkollore, as vetë komuna nuk ua ka kryer pagesat për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Janë disa lëndë në procedura përmbarimore, por do të vazhdojnë edhe në të ardhmen nëse institucionet apo bizneset e familjet nuk i kryejnë obligimet e tyre, ndër to janë edhe institucionet publike, shembull Komuna e Ferizajt e cila i ka disa fatura të papaguara për shkak të marrëveshjes që e kemi pasur për mirëmbajtjen e rrugëve dhe larjen e tyre dhe ato dimërore që kanë qenë për pastrimin e borës”, ka thënë ai.
E në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, është zotuar se në të ardhmen e afërt, borxhet ndaj kompanive publike do të shlyhen, ndonëse, ai ka shtuar se telashet më të mëdha i kanë me borxhin e ujit nëpër shkolla, që është trashëguar ndër vite.
“Ajo çfarë mund të themi është se kemi një borxh jashtëzakonisht të madh ndaj ‘Bifurkacionit’, por kjo nuk vlen për këto katër vite që kemi qeverisur ne, sepse ne kemi kërkuar nga vazhdimësi nga shfrytëzuar ujin e pijshëm, por drejtorët e shkollave nuk kanë marrë përgjegjësi për borxhin, i cili është akumuluar me vite të tëra”, ka thënë Llabjani.
Ai ka bërë të ditur se do të mbajnë sërish takime me përfaqësuesit e kompanive publike për të gjetur një gjuhë të përbashkët rreth borxheve të trashëguara që nga paslufta.