Hulumtuesja në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Vesa Kelmendi, ka deklaruar se në zgjedhjet e fundit parlamentare është shfaqur me të madhe narrativi i ekstremit të djathtë.
Ajo ka thënë se shqetësuese ka qenë diskutimi kur është folur për fekondimin in-vitro, ku tha se ka dëgjuar një debat se “një grua që bën IVF, donatori mund të jetë nga Serbia, dikush që ka vrarë motrat tona”.
Sipas Kelmendit, kjo lloj gjuhe është shqetësuese, teksa shtoi se politika e tillë është e rrezikshme.
“Nëse i marrim zgjedhjet e fundit, analizojmë narrativin e së djathtës ekstreme, ke mundur të shohësh shumë të tilla”, ka shtuar ajo.
Molliqaj: Me ardhjen e Trumpit, të drejtat e grave në SHBA janë nën sulm
Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive e organizatës feministë “QIKA”, ka thënë se me ardhjen e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të drejtat e grave janë nën sulm.
Në “Konfront” të KTV-së, Molliqaj ka përmendur te kjo çështjen e abortit në SHBA. Ajo ka thënë se gratë në SHBA e kanë fituar të drejtën e abortit me shumë mund dhe tash kjo e drejtë po sulmohet nga politikat e pushtetit atje.
E sipas saj ka shtete edhe në Evropë që kanë politika “edhe më të zeza” në këtë aspekt. Sipas saj, këtu hyn Polonia.
“Një prej caqeve të ekstremizmit të djathtë janë të drejtat e njeriut në përgjithësi, e në veçanti të grave dhe komuniteteve të margjinalizuar. Duke përfshirë sidomos në vende si Amerika, përfshirë edhe emigrantët, gratë me ngjyrë e komunitetet LGBT. Ajo që vërehet është se me rritjen e ideologjisë ekstreme të djathtë dhe fitoren e tyre fatkeqësisht në shumë vende të botës dhe Evropës është rritur edhe fuqia e ndikimi i tyre”, ka thënë ajo.
Sipas saj, pushtetet e ekstremit të djathtë arrijnë të mbajnë pushtetet përmes shtypjes dhe shfrytëzimit të ideologjisë së tyre.
Bokshi: Ekstremistët e djathtë i thjeshtësojnë problemet, në një të vetëm
Politologu Alban Bokshi ka deklaruar se grupet ekstremiste të djathta tentojnë t’i thjeshtësojnë aq shumë problemet, saqë më pas t’i mobilizojnë masat “duke rritur frikën që të rreshtohen pas tyre”.
Ai ka thënë të enjten në emisionin “Konfront” të KTV-së se qëllimi i ekstremistëve të djathtë është që të brengat reale të njerëzve t’i paraqesin në mënyrë të të thjeshtë, që sipas tij, më pas të prezantohen si shpëtimtarë të tyre.
“...Ata e thjeshtësojnë sepse ashtu është mënyra më efektive me mobilizu masën, duke rritur frikën e masës që të rreshtohen pas tyre. Pastaj, këta prezantohen si shpëtimtarë të popullit e kombit, të çdo gjëjë që është kërcënim, sipas tyre”, ka thënë Bokshi.
Ai shtoi se rreshtimi i njerëzve pas ekstremistëve të djathtë vjen si pasojë e frikës.