Arbëri

Boehler vlerëson se marrëveshjet përshpejtojnë nisjen e investimeve në Kosovë e Serbi

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Adam S. Boehler, i ka quajtur mbresëlënëse rezultatet e arritura nga vizita e tij në rajon, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Në një telekonferencë me gazetarë, Boehler ka thënë se palët dëshmuan përkushtim dhe seriozitet në implementimin e marrëveshjes së dakorduar më 4 shtator në Uashington, raporton KOHA.

Sipas tij, fokusi kryesor mbetet tek çështjet ekonomike, teksa ka përmendur rëndësinë e përmbushjes së pikave që flasin për ndërtimin e autoudhës dhe linjave hekurudhore.

“Jemi të lumtur me rezultatet e arritura nga vizita në Kosovë e Serbi. Ka përkushtim për përparim ekonomik dhe investime në sektorin privat. Politika jonë është e fokusuar në normalizim ekonomik. Dua të uroj liderët e të dyja vendeve, sepse ka qenë e vështirë të ecin përpara dhe të mendojnë për çështjet ekonomike”, ka deklaruar Adam Boehler, kryeshef i DFC-së.

Ai shton se marrëveshjet e nënshkruara në Prishtinë e Beograd përshpejtojnë nisjen e investimeve, megjithëse nuk ka qenë në gjendje ta përmendë shumën totale të investimeve, pasi, siç ka thënë, kjo varet prej propozimeve që do t’i marrin.

Por në Prishtinë, Boehler kishte premtuar ndarjen e mbi 1 miliard eurove për realizimin e projektin e Autostradës së Paqes, për hekurudhat, si dhe qendrën e skijimit në Brezovicë.

“Bashkëpunimi dhe përparësitë bëhen për popujt e të dyja vendeve, pra që të krijiohen vende pune dhe të lihen anash konfliktet. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia do të ecin përpara drejt normalizmit ekonomik”, ka shtuar ai.

Pjesë e konferencës ka qenë edhe shefi i Zyrës së Korporatës Amerikane për Zhvillim dhe Financa (DFC) në Beograd, John Jovanoviq, i cili ka thënë se autoudha dhe hekurudha që lidh Kosovën me Serbinë janë të një rëndësie të veçantë.

Kosova dhe Serbia nënshkruan më 4 shtator marrëveshjen 16-pikëshe për normalizim ekonomik. Por disa prej çështjeve të dakorduara në Shtëpinë e Bardhë janë riciklim i marrëveshjeve të Brukselit.

Boehler ka folur për rëndësinë e koordinimit me partnerët evropianë, në funksion të realizimit të projekteve, duke shtuar se do ta mbikëqyrin në vazhdimësi realizimin e projekteve.