Arbëri

Blerja 6.5 milionë euroshe përplas SHSKUK-në me Ministrinë e Shëndetësisë

Tenderi prej gati 6.5 milionë eurosh për pajisjet ndihmëse për personat paraplegjikë e tetraplegjikë ka shkaktuar përplasje mes dy institucioneve shëndetësore. Për blerjet shumëfish më shtrenjtë që i bëri, SHSKUK-ja ia barti fajin Ministrisë së Shëndetësisë. E ajo e ka mohuar çdo përfshirje në tenderim.

Ministria e Shëndetësisë e ka përgënjeshtruar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, tek e ka mohuar përfshirjen në tenderin prej gati 6.5 milionë eurosh, nëpërmjet të cilit pajisjet ndihmëse për personat me paralizë janë blerë shumëfish më shtrenjtë.

Përgjegjësinë për këtë, SHSKUK-ja ia ka atribuuar Ministrisë javë më parë.

Dallimet në çmimet e blerjes, për të cilat KOHA ka raportuar më herët, i ka konfirmuar auditori i brendshëm i SHSKUK-së.

Auditori ia ka lënë përgjegjësinë komisionit vlerësues, të emëruar nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse SHSKUK-ja është institucioni zbatues i procesit.

“Këto dallime mund të kenë ndodhur, pasi pajisjet ishin planifikuar të bliheshin në tërësi... Një praktikë alternative do të ishte ndarja e pajisjeve në lote. Ka qenë një procedurë për t’u zhvilluar komplet. Njësia kërkuese është komisioni vlerësues i përcaktuar nga udhëzimi 11/2022. U emërua nga MSH-ja”, ka thënë Besnik Zejnullahu, zëvendësdrejtor i njësisë së auditimit të brendshëm më 14 tetor.

Por në një përgjigje për KOHËN, në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se përgjegjëse për të gjitha procedurat tenderuese ka qenë SHSKUK-ja.

“Duke qenë se ShSKUK është institucioni zbatues i këtij udhëzimi, Ministria ka vetëm përgjegjësinë për të kërkuar nga ShSKUK zbatimin e tij. Sa u përket specifikave dhe zhvillimit të procedurave tenderuese, të gjitha këto janë realizuar nga ShSKUK-ja. Komisioni nuk ka qenë i përfshirë në procedurat tenderuese, përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë apo shpërndarjen e pajisjeve. Pra, të gjitha këto procedura janë iniciuar dhe zhvilluar nga SHSKUK-ja”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Një bastun i thjeshtë kinez, që në treg kushton 3 deri në 6 euro, SHSKUK-ja e ka blerë për 98 euro. E Udhëzimi Administrativ lejon çmim deri në 50 euro.

Tejkalimi ka ndodhur edhe në blerjen e gjashtë produkteve të tjera.

Procesi i aplikimit për të përfituar nga 4 mijë e 250 pajisjet e blera u hap në qershor, vetëm pas raportimit të KOHËS se ato nuk janë shpërndarë, as pas gati një viti nga blerja.

Që atëherë, premtimet për datat e shpërndarjes nuk janë përmbushur. Në shoqatën HANDIKOS, që ka qenë pjesë e hartimit të specifikave të tenderit, e cilësuan procesin të zvarritur dhe të paqartë.