Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Në episodin e 49-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti Blerim Shala (Pjesa e tetë). 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shala: ‘Veriu është problemi ynë’, kështu na thanë ndërkombëtarët gjatë negociatave

59 min. më parë / 5 pri 2026 20:46
Blerim Shala

Publicisti Veton Surroi dhe gazetari e aktivisti Blerim Shala kanë ndarë detaje nga negociatat ndërkombëtare për statusin e Kosovës, duke folur për çështjen e veriut dhe rolin e ndërkombëtarëve në atë periudhë.

Sipas Shalës, gjatë një takimi me diplomatin amerikan Frank Wisner në kuadër të procesit të njohur si “Trojka”, përfaqësuesit kosovarë kishin ngritur çështjen e veriut të Kosovës. Ai ka thënë se reagimi i Wisnerit kishte qenë i drejtpërdrejtë, duke u thënë se “veriu është problemi ynë”, gjë që sipas tij kishte qenë një lloj lehtësimi për palën kosovare, pasi integrimi i veriut shihej si shumë i vështirë në ato rrethana.

“Në një prej takimeve që kemi pas me ambasadorin Wisner në kuadër të ‘Trojkës’, ne e përmendëm punën e veriut. Edhe unë edhe e ti, po besoj edhe Fatmiri edhe Hashimi edhe të gjithë. Reagimi i Wisnerit ka qenë eksplicit: ‘Veriu është problemi i jonë’, të kujtohet. Ishte lehtësuese për ne në qoftë se thotë ky, se ne e dinim se ne s’mund ta integrojmë veriun. Me çka të integrosh veriun?”, tregoi Shala.

Surroi ndërkaq tregoi se kishte zhvilluar diskutime të gjata me diplomatin austriak Albert Rohan lidhur me arsyet pse Kosova këmbëngulte që veriu të mbetej pjesë e saj. Ai ka thënë se përveç pasurive natyrore dhe burimeve ujore, një ndër arsyet kryesore ishte edhe parimi politik dhe historik i Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa shtroi pyetjen se çfarë vlere konkrete ka veriu për identitetin serb, duke përmendur se shumica e objekteve fetare serbe nuk ndodhen në veri.

“Gjithmonë ka qenë arsyetimi, po aty ata njerëz edhe ashtu nuk janë shqiptarë, nuk po duan të jetojnë me ju... edhe njëri prej arsyetimeve të gjatë të cilën e kam elaboruar është pos pasurive natyrore, etj., uji, dhe e dyta është parimi i Serbisë. Parimi serb ka qenë historik gjithmonë Kosova duhet sepse është djepi i Serbisë, manastiret e tjera. Cili manastir është në veri? Çka ka vlerë? Çfarë vlere është Leposaviqi për identitetin kombëtar serb?”, shtoi Surroi.

Surroi: Deklarata e Pavarësisë është dokument teknik, është dashur një tekst që reflektonte vullnetin e popullit

1 o. më parë / 5 pri 2026 20:27
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi dhe aktivisti e gazetari Blerim Shala kanë folur për mënyrën se si është hartuar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se dokumenti përfundimtar ka qenë më shumë teknik sesa përmbajtësor dhe emocional.

Sipas Surroit, Deklarata e Pavarësisë, ashtu siç është shpallur, ka qenë një dokument teknik dhe një arsyetim juridik, por ka munguar një pjesë që do të reflektonte vullnetin dhe emocionin e popullit. Ai theksoi se dokumenti duhej të përmbante të paktën një fjali që do të mbahej mend dhe që do të përfaqësonte shpirtin e shtetit të ri.

“Deklarata e Pavarësisë e këtillë çfarë është bërë në Kosovë është një dokument teknik, një arsyetim teknik. Është dashur të kishte një fjalë që reflekton, minimale, një fjalë që reflekton vullnetin e këtij vendi. Të ketë diçka që mbahet mend, jo diçka që është e thatë, teknike”, deklaroi Surroi në podcastin PIKË.

Ndërkaq, Shala deklaroi se deri në dhjetor të vitit 2007, pothuajse të gjitha dokumentet e procesit të statusit i kishte hartuar vetë pala kosovare dhe se ekzistonte kapaciteti që edhe Deklarata e Pavarësisë të shkruhej nga një ekip vendor në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë. Sipas tij, draftet dhe argumentet për pavarësinë ishin përgatitur nga ekipi kosovar dhe më pas ishin dërguar në Departamentin Amerikan të Shtetit për përkthim dhe miratim, pa pasur vërejtje të mëdha, çka sipas tij tregonte besimin që kishin ndërkombëtarët tek pala kosovare.

“Pergamena është blerë në Londër, e dimë historinë krejt, e ka shkru profesori Shyqri Nimani. Po kaq, do të thotë e ne kemi mundur ta bëjmë pa kurrfarë dileme, sepse kemi pas kapacitet, kem pas përvojë edhe krijuam njëfarë pjekurie, nuk kemi qenë më ata viteve të ‘90-a që nuk dinim akoma si funksionon bota. Kështu që mendoj që është ba gabim”, shtoi Shala.

Surroi e Shala: Data e Pavarësisë u caktua për të dielën që OKB-ja të mos reagonte menjëherë

1 o. më parë / 5 pri 2026 20:09
Veton Surroi Blerim Shala

FOTO: KTV

Publicisti Veton Surroi dhe aktivisti e gazetari Blerim Shala kanë zbuluar detaje interesante nga prapaskenat e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, gjatë një bashkëbisedimi në podcastin “PIKË”.

Sipas Shalës, gjatë takimeve me diplomatin amerikan Frank Wisner, ishte kërkuar që shpallja e pavarësisë të bëhej në një ditë të diel dhe gjatë muajit shkurt, në mënyrë që në Organizata e Kombeve të Bashkuar (okb) të mos kishte reagim të menjëhershëm. Surroi shtoi se ora e shpalljes duhej të zgjidhej në atë mënyrë që në New York të ishte natë.

“Edhe në fund doli puna e datës së shpalljes së pavarësisë, ai na pat thanë që duhet me qenë e dielë për shkak të OKB-së”, rrëfeu Shala.

“Dhe duhet të qëllojë në orë, kur në New York është natë...”, shtoi Surroi.

Ata treguan gjithashtu se shumica e dokumenteve të procesit të shtetndërtimit të Kosovës janë hartuar nga vetë pala kosovare. Sipas Shalës, rreth 95 për qind e dokumenteve, përfshirë ato për decentralizimin, të drejtat e minoriteteve dhe dokumente të tjera të rëndësishme të procesit, janë shkruar nga ekspertët dhe përfaqësuesit kosovarë dhe më pas janë dorëzuar në proceset ndërkombëtare.

Sipas tyre, edhe Deklarata e Pavarësisë ishte përgatitur me përfshirje ndërkombëtare dhe ishte shkruar në Ambasadën Amerikane, ndërsa kishte pasur edhe mendime të ndryshme rreth versionit përfundimtar të saj.