Arbëri

Biznese paralajmërojnë mbylljen nëse dalin në treg të hapur të energjisë

KEDS-i të shtunën pritet t’i shkyçë nga rrjeti kompanitë të cilat nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji deri të premten. Nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja nuk kanë bërë të ditur se sa nga 1300 kompanitë e dala në treg të lirë janë pa kontrata për furnizim. E përfaqësues të një kompanie që është kontaktuar nga KOHA, e që nuk ka nënshkruar kontratë, thotë se rrezikon t’i dërgojë punëtorët në shtëpi në rast se i ndërpritet energjia elektrike

Kompanitë e dala në treg të lirë të energjisë, cilat nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me ndonjë nga operatorët e licencuar për furnizim nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), të shtunën pritet të shkyçen nga rrjeti.

Nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja nuk kanë dhënë informata se sa kompani nuk kanë nënshkruar kontrata deri të premten, për ta shmangur ndërprerjen e rrymës.

Pa furnizim me energji rrezikon të mbetet kompania Bejta Commerce.

Pronari i saj, Adem Kçiku, ka thënë se nuk ka arritur që të lidhë kontratë për furnizim, shkaku i paqartësive që ka pasur në oferta.

“Ofertat kanë qenë të paqarta, pasi nuk është ofruar një çmim fiks, por varësisht nga lëvizjet e çmimeve në bursa. Kjo për ne ka qenë e pamundur që të nënshkruhet, pasi tashmë kemi kontratat që kemi nënshkruar më herët dhe se me këtë kosto të energjisë, është e papërballueshme për t’i përmbushur ato. Do të duhej të na ofrohej kohë, të paktën deri në fillim të vitit, në mënyrë që kontratat e reja, të përfshijnë edhe koston e energjisë me tarifa të reja”, ka thënë Kçiku. “Nga nesër unë do të detyrohem që t’i dërgoj punëtorët në shtëpi, nuk kam si të vazhdoj tutje. Rrezikoj me humbë mijëra euro, shkaku i mospërmbushjes së kontratave që i kam për furnizim të produkteve tona”.

Për të shmangur ndërprerjen e energjisë, pronari i kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendi, ka thënë se ka nënshkruar kontratë për furnizim me rrymë për një muaj.

“Sot kemi nënshkruar kontratë për furnizim për një muaj, për të mos rrezikuar produktet që kemi, e që nuk mund të funksionojmë me gjeneratorë. Deri sot nuk kemi nënshkruar kontrata për shkak se disa nga kompanitë që na kanë dërguar oferta për furnizim kanë kërkuar mjete avans, e për çka nuk kemi pasur garanci, çka do të ndodhë nëse nuk do të kemi furnizim”, ka thënë Kelmendi.

ZRRE-ja të mërkurën ka njoftuar se nga data 16 gusht, konsumatorët komercialë të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të shkyçen nga rrjeti energjetik.

Rreth kësaj reaguan përfaqësues të bizneseve, të cilët kërkuan edhe një herë nga ZRRE-ja të rishqyrtojë procesin e daljes në treg të hapur, dhe të mos aplikojë ndërprerjen e furnizimit me energji të bizneseve.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Ekonomike e Britanisë në Kosovë, Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës, nëpërmjet një reagimi të përbashkët, kanë shprehur “shqetësimin e thellë” për situatën e krijuar pas aktvendimit të nxjerrë nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale.

“Me këtë rast kërkojmë nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të rishqyrtojë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe njëkohësisht të mos aplikojë ndërprerjen e furnizimit me energji të bizneseve, siç ka paralajmëruar se do të nisë nga data 16 gusht”, thuhet në reagim. “Ndërprerja e furnizimit me energji do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme, duke filluar nga ulja e numrit të të punësuarve, rritja e çmimeve, rritja e importit dhe rënia e eksportit”.

Në këtë reagim përfaqësuesit e bizneseve kanë alarmuar për pasojat e vendimit të ZRRE-së.

“Ne jemi tashmë të informuar se disa biznese kanë ndërprerë punën, ndërsa të tjerat janë në proces të mbylljes së reparteve”, thuhet në reagim. “Gjithashtu, shumë biznese janë duke pësuar dëme për shkak të kontratave me partnerët ndërkombëtarë, të cilat janë nën kosto të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë”.

Aty është paralajmëruar edhe për masa eventuale.

“Shoqatat e bizneseve po vazhdojnë konsultimet me bizneset për hapat e mëtejmë”, thuhet në reagim. “E ritheksojmë edhe një herë se askush nuk është kundër liberalizimit të energjisë, por kundër formës së zgjedhur nga ZRRE-ja, ku mbi të gjitha ka munguar informimi i mirëfilltë për këtë proces shumë të rëndësishëm. Gjithashtu, çmimet e ofruara nga kompanitë e licencuara për furnizim me energji janë shumëfish më të larta se ato të rajonit”.

Reagime pati edhe nga opozita.

Të premten, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka akuzuar partinë në pushtet për kapje të tregut të energjisë.

“Por kush e shet energjinë elektrike në këtë treg të lirë në Kosovë? Kompania e shefit të stafit të Kryeministrit, MDA Energy. Bizneset tani detyrohen ta blejnë energjinë nga kjo kompani me 280% më shtrenjtë. Ky është një akt i pastër i kapjes së tregut nga një mafie energjetike, e cila ka bazën e saj në Serbi dhe në Republika Srpska”, ka thënë Tahiri.

Të martën shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka aprovuar ankesën e ZRRE-së, duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të hapur të energjisë elektrike.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë të Komerciales.

ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.

E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.

Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.

Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.

Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.