Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi ndodhet në Bruksel për takime në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Sipas zëdhënësit të BE-së ai është në takim me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Peter Sorensen. Zëdhënësi i BE-së ka thënë se të martën pritet edhe takimi me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq pasi takimet janë thirrur në nivel të kryenegociatorëve.
Në BE pos që i kanë konfirmuar takimet, nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër.
Por, burimet diplomatike në Bruksel thonë se nuk presin ndonjë zhvillim dramatik duke pasur parasysh situatën aktuale politike në Kosovë.
Kjo është hera e parë që kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia janë thirrur në Bruksel prej kur Sorensen është emëruar si i dërguar i posaçëm për dialog, post në të cilin më herët ishte Miroslav Lajçak.
Por këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu, ka thënë se nuk do të ketë takim trepalësh.
“Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi nuk do të takohet me z. Petkoviq. Takimi trepalësh nuk u mbajt meqë ekipi serb ka pas komplikime me fluturim dhe nuk kanë mbërritur në Bruksel”, ka thënë Kadiu për KOHËN.
Vazhdimin e dialogut e kishte paralajmëruar gjatë vizitave të saj në Kosovë dhe në Serbi edhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Kaja Kallas.
BE-ja ndërkohë përsëritë se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe aneksi i Ohrit për implementim mbeten në fuqi dhe palët duhet t’i zbatojnë.
Sorensen tregon se çfarë bisedoi me Bislimin, planifikon së shpejti organizimin e takimit trepalësh
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka diskutuar të hënën në Bruksel për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se planifikohet së shpejti të organizohet një takim trepalësh në kuadër të dialogut.
“Prita kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim në përgatitje të një takimi trepalësh në dialog sot në Bruksel. Diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë së shpejti një takim trepalësh”, ka shkruar Sorensen në platformën “X”.
Bislimi në prononcim për media ka thënë se ka qenë i paraparë edhe takim trepalësh, por nuk ka ndodhur shkaku i disa komplikimeve me udhëtim të delegacionit serb.
“Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”, tha Bislimi.
Bislimi: Parashihej takim trepalësh në Bruksel, por pala serbe hasi në probleme
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të mbajtur të hënën në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se ishte paraparë që sot të mbahej një takim trelateral, por ekipi i Serbisë ka hasur në vonesa për arritjen në Bruksel.
Në një deklaratë për KOHËN, Bislimi ka treguar për temat që janë diskutuar në takimin e sotëm me Sorensenin.
“Ka qenë i paraparë edhe një takim trelateral, por nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave”, është shprehur ai.
Bislimi tha se në këtë takim të parë me Sorensenin, ia ka treguar qasjen që do ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve që do të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve apo edhe në takimet e larta që do të udhëhiqen nga Kaja Kallas.
“Në takim bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli, apo zgjidhje, p.sh. kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë, si në përmbushjen e obligimeve të tyre p.sh. në tri pikat kufitare që është dashur t’i ndërtojnë ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që Bujanoc e Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka udhëtarë që kthehen nga diaspora, por edhe problemet që kemi me njohjen e certifikatave. Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël. I ka bllokuar Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kërkuam sa më shpejt çbllokimin e këtyre mjeteve, folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformomit të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe mbajtjes lart të presioneve te qytetarët serbë në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme”, ka thënë ai.