Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi e ka prezantuar draftin e pakos për rimëkëmbje ekonomike, pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.
Në një konferencë për medie, të enjten, Bislimi ka theksuar se pakoja e dytë për ekonomi ka një ndikim 1.2 miliard eurosh për pesë vitet në vijim.
Ministri ka folur edhe për burimet e financimit.
Ai ka precizuar se fokusi primar i pakos është mbështetja me kredi për ato biznese që janë ndikuar nga pandemia.
“Kjo pako përbën një draft fillestar. Financimi i saj, implementimi i saj kërkon disa parakushte, si në qeveri, ashtu edhe në Kuvend”, ka thënë Bislimi.
Ai e ka kërkuar nga Kuvendi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi që burimi i financimit të kësaj pakoje ndërlidhet me ato mjete financiare.
Ai ka folur edhe për pakon emergjente fiskale prej 190 milionë eurosh, e cila sipas tij, ende nuk është implementuar në tërësi/ ksp.