Arbëri

Bislimi intervistohet nga Prokuroria Speciale

Besnik Bislimi

Foto: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është intervistuar në Prokurorinë Speciale të mërkurën lidhur me hetimet rreth dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.

Pas rreth dy orësh brenda Prokurorisë, në dalje, Bislimi nuk ka folur para mediave. E avokati i tij ka thënë shkurt se intervistimi “ka shkuar mirë”.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, e ka përmendur Bislimin për çështjen e funksionalizimit të kësaj fabrike.

E në fund të majit, Prokuroria Speciale urdhëroi bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj lidhur me dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të këtij impianti. Ministri Peci ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Pos tij, qe intervistuar edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha.

Pas intervistimit, Peci pati thënë se ka vepruar në interes të publikut.

Bislimi kritikon Prokurorinë: Qëllimi i intervistimit tim ishte prodhimi i lajmit medial

1 o. më parë / 18 qer 2025 12:18
Besnik Bislimi

Photo: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka akuzuar Prokurorinë për qasje negative ndaj përgjegjësive që ka. 

Ai ka thënë se intervistimi i tij ka qenë i panevojshëm, duke konsideruar që informacionet që ka dhënë, kanë mundur të grumbullohen pa pasur nevojë për intervistim. 
“Sot isha në prokurori i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Po ashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa pasur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar ai në Facebook.

Bislimi tutje ka thënë se Prokuroria Speciale duhet ta rishikojë qasjen e saj. 

“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trelateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka shtuar ai.