Bislim Bislimi, sekretar në Ministrinë e Kulturës, ka përsëritur se Komuna e Prishtinës ka shkelur Ligjin për Trashëgimi Kulturore, Ligjin për prokurim publik dhe Ligjin e menaxhimit të financave publike duke e nisur projektin për sheshin “Xhorxh Bush” pa i përmbushur detyrimet ligjore.
Ai ka theksuar se punimet nuk do të mund të vazhdojnë pa leje.
“Duhet të ketë leje të shkruar nga institucioni kompetent për të ndërhyrë në këtë zonë të mbrojtur”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Bislimi ka thënë se ndaj Komunës kanë kërkuar hapjen e hetimeve nga organet kompetente për kryerje të veprës penale “punë të paautorizuara në trashëgimi kulturore” dhe vepra të tjera.
“Komuna e Prishtinës nuk është autoritet që kontrollon vendimmarrjet dhe ligjshmërinë e vendimeve të ministrave. Komuna nuk duhet t’i japë vetes autorizime, autoritet dhe as të drejtë që të flasë publikisht nëse një vendim i MKRS-së ëshët apo jo i ligjshëm sepse ajo nuk ka kompetenca mbi këto vendime. Nëse Komuna e Prishtinës beson se vendimet e ministrave të kulturës për listën e përkohshme për trashëgimi kulturore janë të paligjshme mund ta referojnë në gjykatë”.
Bislimi ka potencuar se Komuna e Prishtinës po e bllokon punën e saj duke mos kryer procedurat që duhet t’i kryej.
“Ne nuk po e bllokojmë komunën, Komuna e Prishtinës po bllokon vetveten sepse po refuzon që të marrë lejet e nevojshme”.
E, sa i përket punimeve në rrugën “Agim Ramadani”, Bislimi ka thënë se edhe për këtë projekt janë dhënë vërejtjet por komuna nuk i ka marrë parasysh.
“Ata duhet të plotësojnë kriteret sepse pa i plotësua nuk mund të ketë leje sepse edhe ne e shkelim ligjin pastaj dhe shkelim parimet e konservimit”, ka thënë ai.