Detajet mbi marrëveshjen për targat i ka dhënë në një intervistë për KOHËN zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai tregoi se do të mbulohen edhe tabelat që Serbia i lëshon për qytetet e Kosovës. Bislimi foli edhe për një rrethanë, e cila marrëveshjen e arritur do ta bënte jovalide.
Marrëveshja për targa, e arritur sot në Bruksel, do t’i trajtojë si të huajat edhe tabelat e lëshuara nga Serbia, e që përmbajnë denominimet e qyteteve të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili në emër të Kosovës i ka zhvilluar negociatat për targat, tha në një intervistë për KOHËN se edhe këto targa do të mbulohen me afishe.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Çdo targë që nxirret në Serbi do të trajtohet si targë e shtetit serb që nuk vlen në Kosovë. Do të thotë: në qoftë se dikush e ka nxjerrë tabelën me KM në Kikindë, e njëjta do të mbulohet me stickers gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore dhe do të trajtohet si targë e Serbisë. Do të thotë, jo e Kosovës”, ka thënë Bislimi.
Grupe profesionale që do ta nisin punën të enjten do t’i detajizojnë pjesët e targave që do të mbulohen dhe aspekte të tjera që lidhen me zbatimin e marrëveshjes, përfshirë sanksionet për ata që i heqin afishet e vendosura në targa.
“Nesër grupi nga Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë takime virtuale me zyrën e Z. Lajçak për ta detajuar operacionalizimin e kësaj mase, për të treguar se si do të duken stickersat, çka mbulohet saktësisht, a duhet të ketë kosto për implementimin, çfarë sanksionesh duhet të ketë në rast se hasen persona të cilët afishet e vendosura në kufi pastaj i kanë larguar nga veturat e tyre, pastaj do të diskutohen detajet e operacionalizimit”, ka njoftuar ai.
Marrëveshja do të vlejë për gjashtë muaj, brenda së cilës kohë palët kanë shprehur zotimin të gjejnë një zgjidhje të përhershme që kërkon modifikime në targat e të dyja vendeve.
Zëvendëskryeministri Bislimi foli edhe për një rrethanë, e cila marrëveshjen e arritur do ta bënte jovalide.
“Në atë moment që ne konkludojmë që pala serbe i ka bishtëru marrëveshjes, qoftë me respektim të afateve për implementim të tyre, qoftë me deformim në implementim, marrëveshja konsiderohet si jovalide dhe pala serbe do të kualifikohet si pala bllokues e dialogut”, ka deklaruar Bislimi.
Intervista e plotë me zëvendëskryeministrin Bislimi, i cili përfaqësoi Kosovën në Bruksel në negociatat për targat, do të transmetohet sonte në “Interaktiv”.