Qeverisje në partneritet me partitë e tjera synon të ketë Lidhja Demokratike, e cila nuk është subjekti i parë edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Burime të KOHËS brenda kësaj partie kanë thënë se negociata janë duke u zhvilluar me Partinë Demokratike, Aleancën e AKR-në. Hise më të madhe i ka kërkuar PDK-së, me të cilën sipas burimeve, ka diskutime për postin e nënkryetarit dhe tri drejtori.
KOHA nuk ka arritur të marrë një qëndrim nga Alban Zogaj, që ka qenë pjesë e shtabit të Përparim Ramës në Prishtinë.
E, Sekretari organizativ i PDK-së ka thënë se nuk ka informacione për bisedime të zhvilluara sa i përket koalicionit në Prishtinë. Sipas Betim Gjoshit, javën e ardhshme do të kenë takime me degët në komunat ku nuk kanë dalë parti fituese.
“Mesa kam informacion si sekretar organizativ nuk është se kemi pasur ndonjë takim apo bisedim sa i përket koalicionit në Prishtinë. Në këtë kohë më shumë jemi duke i falënderuar qytetarët e Kosovës që na ka mbështetur si parti, falënderim për strukturat tona nëpër degë ku kemi fituar. Ende nuk kemi ardhur deri te takimet me këto degët ku kemi rezultat të mirë, por nuk kemi arritur të fitojmë. Besoj se javën tjetër fillojmë me i takuar, por nuk është se kemi ndonjë informacion të tillë”, ka thënë Betim Gjoshi, sekretar në PDK.
Ndërkaq, Kushtrim Xhemajli nga AAK-ja ka thënë se ende nuk ka vendim sa i përket koalicionit të mundshëm.
Lëvizja Vetëvendosje është subjekti me më së shumti këshilltarë në Prishtinë, gjithsej 17. Partia që fitoi garën për kryetar- LDK-ja do të t’i ketë 14 ulëse, e pasuar nga PDK-ja me 9, AAK-ja i ka 6, AKR-ja 3 dhe me nga një Nisma e Lëvizja për Bashkim.
Egzon Azemi nga Vetëvendosje thotë se ende nuk ka vendim rreth koalicioneve. Por ka shtuar se beson që nuk do të pranohet ftesa eventuale, pasi konsideron se një qeverisje me të gjitha partitë më shumë do t’i bënte dëm komunës.
“Kjo është diçka që e vendos Këshilli i Qendrës së Prishtinës, kështu që s’kemi mbajtur ende një takim për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Sipas mendimit tim, jo si qëndrim i Lëvizjes sepse ende nuk e kemi, nuk duhet të ketë koalicion në Prishtinë. Edhe nëse do ta kishim një ftesë, nuk besoj se pranohet për shkak se nuk shkon kështu një qeverisje me të gjitha partitë. Është më shumë dëm sesa dobi edhe për komunën dhe ka me u dëshmu shpejt edhe me këtë qeverisje ku janë disa subjekte politike që qeverisin, atëherë nuk është më çështje parimesh ndarja e drejtorive, por më shumë çështje pazaresh edhe në drejtori edhe në ndërmarrje publike”, është shprehur Azemi.
Qëndrim Arifi nga Inicativa për Progres (INPO) thotë se për shkak të mënyrës sesi funksionojnë Kuvendet Komunale, koalicionet janë të domosdoshme.
“Pra medoemos do duhesh të kesh një koalicion, sepse mënyra e funksionimit të anëtarëve komunalë është shumë e bazuar në aspektin partiak. Pra është më shumë votë kolektive, sesa votë përfaqësuese e të zgjedhurve nga qytetarët e komunës së caktuar. Pra, kur mendohet ose votohet për një vendim të caktuar, nuk shkohet me kohën individuale, por më shumë me një vendim kolektiv se çka mendon partia”, ka pohuar Arifi.
Ai shton se në të shumtën e rasteve koalicionet nuk janë parimore dhe partitë nuk i bashkojnë pikat programore.
“Kryesisht partitë që vendosin t’i bashkohen partisë fituese, që i përket kryetarit në kuadër të asamblesë komunale, zakonisht përfshihet nën ato koalicione pa ndonjë kusht të caktuar, përjashtuar kushtin e përfaqësimit me pozita të ndryshme në ekzekutiv. Pra sa u përket programeve pothuajse janë të papërfillshme, sepse mos të harrojmë që deri frik nuk kemi pasur as programe përmbajtjesore”, ka shtuar Arifi.
Në balotazhin e 14 nëntorit, kandidati i LDK-së, Përparim Rama, fitoi përballë Arben Vitisë me një diferencë prej 1 mijë e 603 votash.