Partitë politike në Kosovë kanë zhvendosur aktivitetet përtej kufijve, duke e kthyer diasporën në një nga frontet kryesore të betejës elektorale. Takime mobilizuese në Zvicër, organizime partiake në Norvegji dhe thirrje të drejtpërdrejta për pjesëmarrje në votim, sipas analistëve, tregojnë se vota e mërgatës po shihet si faktor kyç në garën e 28 dhjetorit
Partitë politike kanë intensifikuar aktivitetet e tyre jashtë vendit, me fokus të veçantë te diaspora, pak ditë para nisjes së fushatës zyrtare elektorale. Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të caktuara në një periudhë kur mërgimtarët tradicionalisht ndodhen me pushime në Kosovë, kanë rritur angazhimin e partive për ta siguruar votën e tyre, të konsideruar gjithnjë e më strategjike në garën zgjedhore.
Takime mobilizuese dhe thirrje për pjesëmarrje aktive pati në vikendin e fundit në qendrat kryesore të diasporës shqiptare në Evropë, veçanërisht në Zvicër dhe Norvegji. Fushata zgjedhore nis zyrtarisht më 17 dhjetor.
Kurti në Zvicër: Diaspora si “forcë zhvillimi”
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me mërgatën në Cyrih të Zvicrës, ku fokusi i fjalimit të tij ishte roli i diasporës në zhvillimin e Kosovës. Ai e portretizoi mërgatën si një faktor aktiv politik dhe ekonomik.
“Diaspora nuk është rezervë emocionale, ajo është forcë zhvillimi. Qeveria e Kosovës e sheh mërgatën si partner dhe kurrsesi si spektator. Pjesa dërmuese e asaj që bëni pa dyshim nuk njihet dhe nuk dihet sa duhet, ndaj ju jeni ata heronj të heshtur të paqes që lartësoni edhe shtetin e Kosovës, edhe kombin shqiptar mbarë”, ka thënë Kurti.
Takimi në Zvicër shihet si pjesë e përpjekjes së Vetëvendosjes për të ringjallur frymën e vitit 2021, kur vota e diasporës pati ndikim të dukshëm në rezultatin zgjedhor.
LDK-ja kërkon “rikthimin e shpresës” nga mërgata
Në të njëjtin shtet, por me një narrativë ndryshe politike, Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar po ashtu takime me bashkatdhetarë. Kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, është pritur nga simpatizantët e partisë në Zvicër, ku, sipas komunikatës zyrtare, u shënua një pjesëmarrje e gjerë nga kantone të ndryshme.
“Kryetari Abdixhiku falënderoi mërgatën për kontributin e vazhdueshëm ndër vite dhe theksoi se mbështetja e tyre është vendimtare në këtë moment kyç për të ardhmen e Kosovës. Ai bëri thirrje për angazhim, mobilizim dhe përkrahje të fuqishme nga mërgata jonë në Zvicër dhe gjithandej botës, duke nënvizuar se Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për unitet, shpresë dhe veprim konkret”, shkruan në komunikatën e LDK-së.
PDK-ja konsolidon strukturat në Norvegji
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës të dielën, në Oslo, ka formuar zyrtarisht degën e saj në Norvegji, duke zgjedhur strukturat drejtuese. Kryetar i degës u zgjodh Arsim Avdija, i cili deklaroi se misioni i tij do të jetë ndërtimi i një Kosove të stabilitetit, zhvillimit dhe shpresës. Tubimi u përshëndet edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila u bëri thirrje simpatizantëve për mobilizim maksimal në mbështetje të kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
Por subjektet politike nuk do të mund të zhvillojnë tubime partiake në të gjitha shtetet e Evropës, ku Kosova ka diaspora të madhe.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë para disa ditësh ka lëshuar një njoftim drejtuar kandidatëve për kryeministër dhe subjekteve politike, duke rikujtuar se organizimi i tubimeve zgjedhore në territorin gjerman nuk lejohet më pak se tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në vendin e tyre.
Meqë zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor, kjo do të thotë se nuk mund të ketë tubime në Gjermani, një nga vendet ku është e përqendruar më së shumti diaspora kosovare.
“Meqenëse kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në njoftimin e ambasadës javën e shkuar.
“Faktor jopërcaktues”
Sipas analistit nga diaspora, Lulzim Veliu, aktivitetet e shtuara të partive politike janë të lidhura drejtpërdrejt me faktin se zgjedhjet mbahen në një periudhë të favorshme për mërgimtarët. Ai shton se Lëvizja Vetëvendosje është duke dashur të krijojë edhe një herë frymën e votës së vitit 2021.
“Është më se e vërtetë se ditë e fundit ka pasur takime me bashkatdhetarë nga përfaqësues të subjekteve politike të cilët janë interesuar që të marrin votën e diasporës pasi që edhe vetë data e zgjedhjeve është caktuar në një periudhë kur mërgimtarët janë në pushim. Në këtë mënyrë janë duke u munduar që të marrin sa më shumë nga vota e diasporës. Më duket se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje është duke dashur të krijojë edhe një herë një frymë të votës për ta siç ishte në vitin 2021, pra viti kur u bë ndryshimi i madh pikërisht me votën e diasporës”, ka thënë Veliu.
“Siç dihet, numri i votuesve që janë regjistruar për të votuar është më i vogël se në zgjedhjet e kaluara, mirëpo pritet që të jetë një numër më i madh i atyre që do të udhëtojnë drejt Kosovës e në këtë mënyrë të merren sa më shumë vota nga diaspora. Mirëpo, një gjë të tillë nuk e kanë lënë keq as subjektet e tjera politike, sidomos Partia Demokratike por edhe Lidhja Demokratike që është aktive në shumë vende në perëndim”.
Megjithatë, Veliu vlerëson se diaspora nuk do të jetë faktori përcaktues kryesor i rezultatit zgjedhor. Sipas përllogaritjeve të tij, vota e mërgatës mund të ndikojë në zgjedhjen e dy deri tre deputetëve dhe se më shumë do ta japë “përfundimtaren” sesa drejtimin e përgjithshëm të Kuvendit.
“Unë mendoj se edhe në zgjedhjet e kaluara dhe në çdo palë zgjedhje që janë mbajtur në Kosovë ka pasur një numër të madh të atyre që kanë ardhur për të votuar drejtpërdrejtë në Kosovë, mirëpo numrin më i madh ishte në vitin 2021 kur kishte organizime edhe me autobus dhe falas për mërgimtarët për të votuar. Unë nuk mendoj se Kuvendin e Kosovës, pra kush do të jenë në kuvend do ta përcaktojë mërgata e Kosovës. Mërgata do ta t’ia japë vetëm përfundimtaren pasi që vota më e madhe është në Kosovë dhe vetë votuesit e Kosovës do të jenë përcaktues. Sipas të gjitha përllogaritjeve mërgata mund të ndikojë për dy apo tre deputetë ose maksimumi tetë deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe prej herëve të kaluara mendoj se kësaj radhe vota e mërgatës do të shpërndahet në të gjitha subjektet proporcionalisht, ashtu siç është edhe votuesi në Kosovë”, ka thënë ai.
Më kritike, sipas Veliut, mbetet mungesa e ofertave konkrete për diasporën.
“Thënë të drejtën askush nuk merret me ofertë konkrete për diasporën. Jemi të dëshpëruar pasi që deri më tani nuk është treguar ndonjë interesim i madh apo nuk janë bërë hapa konkretë për ta ndihmuar diasporën. E them këtë edhe vetë duke qenë aktivë me një organizatë joqeveritare - u jemi drejtuar jo vetëm qeverisë së fundit por edhe atyre paraprake me kërkesa. Jo që nuk janë realizuar por në shumë raste nuk kemi pasur as përgjigje nga ta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me subjektin që sot është në pushtet, me Lëvizjen Vetëvendosje të cilët paraprakisht premtuan shumë se do të jenë krah diasporës mirëpo deri tash nuk është se kanë bërë ndonjë veprim konkret për diasporën, përjashto mundësinë e votimit në ambasada dhe konsullata gjë që më shumë u shkon për shtati atyre se të gjithë tjerëve”, ka theksuar ai tek ka përmendur problemet që ka diaspora.
“Përjashto disa zona ku mësimi plotësues financohet direkt nga shteti gjerman, kemi shumë zona tjera ku fëmijët e mërgimtarëve nuk e kanë mundësinë as të mësojnë Abc-në në mësime plotësuese. Pra ky do të duhej të ishte hapi i parë dhe i rëndësishmi për diasporën, për të vijuar tek mundësia që të votohen pjesëtarët e diasporës dhe t’i kenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Vonesa në dërgimin e fletëvotimeve, kuti postare në 23 shtete të ndryshme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të hënën se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.
Kutitë postare janë funksionale në: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Më 14 dhjetor, dy ditë pas afatit të paraparë, KQZ-ja ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Shkelja e afatit ka ndodhur për shkak se procesi i shtypjes së fletëvotimeve është përmbyllur tek të premten.
“Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, shkruan në njoftimin e KQZ-së.
Ndërkaq për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar mbi 19 mijë qytetarë.
Me ligjin e ndryshuar për zgjedhjet janë tri mënyra votimi nga jashtë: dërgimi i pakos së fletëvotimit përmes postës në kutitë jashtë vendit, në adresën e KQZ-së brenda Kosovës, si dhe votimi fizik në përfaqësitë diplomatike.
Votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025. Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. “KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, kanë thënë nga KQZ-ja.
Në shoqërinë civile thanë javën e shkuar se vonesat e tilla mund t’ua mohojnë një pjese të diasporës që ta ushtrojnë të drejtën e votës.
Vota e mërgatës ka dominuar si temë në javët e fundit pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulimin e 10 Qendrave Alternative të Votimit, pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vendimin e PZAP-së e kishte apeluar Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Supreme, por edhe kjo instancë e hodhi poshtë ankesën duke e lënë në fuqi vendimin e PZAP-së.
Trendi i votave nga diaspora ka pësuar rritje në tri palë zgjedhjet e fundit. Nga 5 mijë e 201 vota në vitin 2017, në vitin 2019 ishin 19 mijë e 789, në 2021 ishin 56 mijë e 375, ndërsa afro 80 mijë për zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti 2025.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosja mori afro 44 mijë vota nga jashtë, ose 80 për qind të votave të dërguara me postë.