Një vendim për qiradhënie për pronën që nuk është nën menaxhim të saj, ish-Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ia ka lëshuar para dy vjetësh Federatës së Futbollit të Kosovës.
Drejtuesit e tashëm të AKP-së nuk e kanë komentuar vendimin e mëparshëm, por kanë sqaruar se prona 7-hektarëshe pranë digës së liqenit të Batllavës ligjërisht i takon ndërmarrjes shoqërore Ekonomia Pyjore dhe se vendimi për lëshim me qira nga ana e saj nuk është i ekzekutueshëm. Jokompetente që të nxjerrë vendime për tokat pyjore AKP-në e ka shpallur edhe Gjykata Supreme në një rast të ngjashëm, më 2016-n.
“Aprovohet qiradhënia direkt e ngastrës 300-0 ZK Batllavë me çmim prej 1.10 eurosh për ar ose 110 euro për hektar, pronë e Ekonomisë Pyjore në Podujevë, e cila evidentohet në emër të ndërmarrjes. Të kërkohet nga FFK që ndërtimi i kampit të mos bëhet para procedurave të shpronësimit dhe marrjes së miratimit nga Agjencia Pyjore e Kosovës”, thuhet në vendimin e Bordit të AKP-së, i datës 29 tetor 2020.
Pavarësisht kësaj, Federata e Futbollit ka vendosur tabelën informuese në hyrje të kompleksit dhe në maj të vitit të kaluar ka angazhuar punëtorë për të pastruar zonën.
Kjo dëshmohet edhe në procesverbalin e Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë që ka siguruar KOHA.
“Gjatë kontrollit në ngastrën e lartcekur është hasur personi I.S. (emër i njohur për redaksinë) me buldozer, i cili është duke shkulur disa trungje të llojit plep dhe shelgje, i cili nuk prezantoi ndonjë dokument për punimet që ishte duke i bërë, porse ishte kontraktuar nga Federata e Futbollit nga kryetari Agim Ademi, i cili nuk kishte nënshkruar kontratë, por vetëm verbalisht kishin bërë marrëveshje për të kryer punët”, thuhet në procesverbal.
KOHA ka kontaktuar me kryetarin e Federatës, Agim Ademi, lidhur me këtë dhe çështje të tjera, por ai ka thënë se nuk ka çfarë të komentojë.
Ky vendim i Bordit të AKP-së dhe kontesti i mëhershëm me KEK-un rreth shfrytëzimit të kësaj prone ka rezultuar me shkëputje të kontratës që Agjencia e Pyjeve e ka lidhur në nëntor të 2020-s me kompaninë “Sirus” për rinovim të kompleksit.
Edhe Komuna e Podujevës ka tërhequr pëlqimin që ia kishte lëshuar paraprakisht kësaj kompanie.
Drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi, ka thënë se anulimi është bërë për shkak të kontestit me KEK-un, i cili fillimisht ka pasur pretendime për atë pronë, por që më pas është tërhequr.
“Me të marrë informatën nga kryetari i Komunës se lënda në fjalë për shkak të shfrytëzimit të tokës është duke u hetuar nga organet kompetente, atëherë është bërë një kërkesë për rishqyrtimin e kësaj lënde”, ka thënë Krasniqi.
Vendimi i Komunës së Podujevës për anulim të pëlqimit për rinovim është marrë pavarësisht faktit që në gjykata nuk ka pasur të deponuar asnjë ankesë formale nga KEK-u.
Por, ka një kontest mes ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të Agjencisë së Pyjeve që akuzojnë njëri-tjetrin për lidhjen e kontratave të paligjshme.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.