Redaktori i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, ka kritikuar mënyrën se si po funksionojnë aderimet dhe listat zgjedhore në partitë politike, duke i quajtur ato “feude familjare”.
“U banalizu si proces çështja e aderimeve. Brenda subjekteve politike ka do far feudesh ose kështu funksionohet, djali i tij, nipi i këtij…”, deklaroi Krasniqi në “Konfront”, duke shtuar se rastet e nepotizmit janë bërë praktikë e zakonshme në politikën kosovare.
Ai përmendi disa shembuj konkretë të tendencës për trashëgimi politike brenda familjeve të njohura.
“E bëra për një minutë një listë. Ukë Rugova në LDK u prezantua së fundmi pasi paraprakisht motra e tij kishte qenë deputete e kësaj partie.. Thaçi u desh të shkonte në Presidencë, u zëvendësua menjëherë nga çika e vëllait të Thaçit ose e kemi shembullin ekzemplar, Ramush Haradinaj vetë kryetar, vëllain deputet, dajën po ashtu deputet. Rexhep Selimi si shkoi në Hagë, u desh bashkëshorten me shti në listë. Djali i Sami Lushtakut, djali i Jakup Krasniqi, çika e Gani Gecit. Më kujtohet kur Adem Grabovci u pat anashkaluar nga partia pas aferës Pronto, e pat deleguar menjëherë një familjar të ngushtë në listë të PDK-së”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi e cilësoi këtë fenomen si ndër problemet më të mëdha të sistemit politik në vend, duke theksuar se ndikimi i familjeve të mëdha “e ngushton hapësirën për ekspertat”, ndërsa meritokracia “thuajse as që ekziston brenda subjekteve politike”.
Shabani-Cacaj: Moscertifikimi i Listës Serbe, për qëllime të fushatës
Anita Shabani-Cacaj, aktiviste politike, ka thënë se Lista Serbe nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qëllime të fushatës zgjedhore.
Sipas saj, Lista Serbe po fuqizohet nga veprime të tilla.
“Është hera e tretë që Lista Serbe nuk certifikohet për shkak të qëllimeve të fushatës dhe çka po ndodh është që Lista Serbe veç po fuqizohet me këto kalkulime të VV-së. Qasja e tillë e ka fuqizuar sepse tashmë Lista Serbe në 10 komuna ka dalë fituese dhe nuk është se ka arrit të bëjë diçka me këtë moscertifikim dhe prapë certifikim. Ata thirren se janë organizatë terroriste por në fakt kush nuk e merr guximin të nxjerr informacione përmes AKI-së sepse Qeveria ka të drejt ta shpallë një organizatë terroriste”, ka thënë ajo në “Konfront”.
Berisha: Tri partitë e mëdha llogarisin të ndajnë votat e Nismës e AAK-së
Analisti politik, Durim Berisha, thotë se lënia jashtë e Nismës nga lista e partive më të mëdha nuk ka qenë rastësi, por një kalkulim i qartë politik i tri partive të mëdha në vend.
Sipas tij, votat e partive që nuk e kalojnë pragun zgjedhor po shihen si mundësi për përfitim nga subjektet kryesore.
“Pak a shumë më ka befasuar lënia jashtë e Nismës, por nëse shikohet prej realitetit të ri që është kriju, e kam perceptu që këto partitë e mëdha duke e dit si ndahen votat e partive që nuk e kalojnë pragun zgjedhor, e kanë parë një mundësi”, ka thënë Berisha në “Konfront” të KTV-së.
Ai vlerëson se situata është veçanërisht problematike edhe për AAK-në, e cila sipas tij rrezikon të mbetet nën pragun prej 5 për qind.
“Nisma nuk pritet me kalu me pragun, ndërsa shumë problematike e shoh edhe AAK-në. Pra, më shumë ka qenë një hile e cila i ka lënë pavetëdijshëm në pozicionin që kanë përfundu këto dy parti – të cilat veçse janë kthyer në parti regjionale”, u shpreh ai.
Berisha thekson se në zgjedhjet e kaluara koalicioni AAK-Nisma nuk arriti rezultat të kënaqshëm, ndërsa këtë grupim politik e sheh tashmë të rrezikuar nga kalkulimet strategjike të aktorëve të mëdhenj.
“Këto tri partitë e mëdha me vetëdije e kanë parë mundësinë që Kuvendi të ketë vetëm tri parti shqiptare dhe kjo e kthen ndryshe themelimin e koalicioneve dhe të qenit opozitë”, përfundoi Berisha.