Arbëri

Rexhepi: Qasja e Abdixhikut - përjashtuese, prepotente e arrogante

Brikenda Rexhepi

Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, ka thënë se qasja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka qenë përjashtuese, prepotente dhe arrogante. 

Rexhepi vlerëson se kjo qasje edhe i ka kushtuar partisë në zgjedhjet e parakohshme të së dielës. 

LDK-ja pësoi rënien më të madhe, duke dal e treta me 13.57 për qind, bazuar në rezultatet preeliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

“Problemi i kryetarit të LDK-së është qasja e tij, është prepotent, është mjaft arrogant dhe përjashtues. E dimë në media përvojën që e kemi pasur me këtë parti, kur kemi organizuar punën rreth fushatës. E kemi parë se çdo gjë brenda LDK-së dhe qasjes e pranisë së LDK-së në publik ka qenë shumë e barrikaduar. Ka qenë një person apo dy, që është dashur të pyeten nëse dikush mund të marrë në një diskutim apo jo. Dhe z. Abdixhiku i pati zgjedhur 5-6 veta që i ka shpërndarë në të gjitha mediat. Nuk lejoi askënd tjetër, edhepse ndonjë donte të vinte në media të diskutonte për fushën ku kishte ekspertizë. Mbyllja e brendshme e partisë dhe tentimi që të shtyhen përpara vetëm disa individë që ai i ndjeu të afërt, e largimi i të tjerëve që mbase kanë dhënë kontribut shumë të madh deri atëherë, i ka kushtuar”, tha Rexhepi në “Konfront” të KTV-së.


Ramaj: Deputetet e PDK-së s'guxuan ta mbrojnë deputeten Matoshi nga Lushtaku

Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se anëtaret e saj nuk guxuan ta mbrojnë ish-deputeten e LVV-së, Adriana Matoshi, pas gjuhës denigruese të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ndaj saj.

Duke folur për çështjen e demokracisë së brendshme në parti, Ramaj ka theksuar se heshtja e anëtareve të PDK-së në këtë rast tregon cenim të demokracisë.

“Në Kosovë diskutohet shumë për demokracinë e brendshme në parti dhe VV-ja një prej kritikave prej partive opozitare e ka se nuk ka demokraci të brendshme. P.sh. çka do bënin nëse z. Agim Bahtiri apo kushdo do ta quante një deputete të PDK-së ashtu siç e quajti z. Lushtaku. Zonja Çitaku, Eliza Hoxha, që flasin për të drejta të grave, sa deklarata i kanë bërë për ta mbrojtur një kolege të tyre prej një gjuhe rrugaçe. Po ta bënte një kryetar i një lagje a një dege të parëndësishme ato dhe PDK-ja do të kishin kërkuar përjashtim. Kur flasim për demokraci, edhe kjo është cenim i demokracisë”.


Berisha: Albin Kurti është bishë, është Muhammad Ali i politikës

“Albin Kurti është bishë politike” ka thënë juristi Durim Berisha derisa ka shtuar se këtë duhet ta kuptojnë të gjithë kundërshtarët e tij politikë.

Berisha ka theksuar se problemi i politikanëve është se nuk kanë aftësi ta pranojnë përgjegjësinë për dështimet e tyre dhe të reflektojnë.

“Ish-kancelari gjerman Helmut Schmidt thotë ‘politika në njëfarë formë është sport luftarak’ dhe mbi bazën e kësaj premise Albin Kurti është Muhammad Ali i politikës në Kosovë, është bishë politike, dhe këtë duhet ta shohin secili prej aktivistit më të thjeshtë e deri te lideri politik, nëse nuk e njeh kundërshtarin nuk do të përgatitesh. Problemi i këtyre njerëzve është që iu mungon aftësia të pranojnë përgjegjësinë për dështimet e veta, me refletu për rrugëtimin që kanë ndjekë.


 

Ramaj: I çuditshëm komoditeti i Abdixhikut, sikur t'i kishte 70% të votave

Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, ka thënë se është befasuese sjellja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

Ramaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Abdixhiku është sillur sikur t’i ketë 70 për qind të votave. 

“Z. Abdixhiku ishte pjesë e shoqërisë civile dhe pritjet kanë qenë të mëdha, pasi nuk është dukur një burokrat i zakonshëm. Por z. Abdixhiku sillej sikur t’i kishte 70 për qind të votave. Ka qenë e çuditshme për mua komoditeti i jashtëzakonshëm i z. Abdixhiku. Është ditur që partia e tij nuk po shënon rritje”, tha Ramaj.


Alijaj: Opozitë e paguximshme, gaboi

Artan Alijaj, ekspert për qeverisje dhe politika, ka thënë se për katër vjet Lëvizja Vetëvendosje ka funksionuar kryesisht me gabimet e partive të tjera.

Sipas tij, rezultatet zgjedhore si ato më 2021 e edhe këto të dhjetorit 2025 kanë ardhur nga gabimet e tri partive të tjera, LDK, PDK e AAK.

Ai ka theksuar se këto tri parti kanë pasur disa mundësi që të mos shkohej në zgjedhje, si ajo për qeverisje të përbashkët, por se asnjërën nuk e kanë shfrytëzuar sepse “nuk ka pasur guxim politik” nga asnjëra parti.

“Qysh prej vitit 2021 LVV-ja ka funksionuar kryesisht me gabimet e partive të tjera. Edhe rezultati i vitit 2021 ka ardhur si rezultat i një serie gabimesh trashanike të partive në opozitë atëherë. Tash prej shkurtit deri tash kanë qenë një sërë gabimesh strategjike që i kanë kryer të gjitha partitë, por më shumë LDK dhe me këtë shihet edhe rezultati i tyre. Kam pritë rënie për të, por jo kaq shumë”, ka thënë ai në “Konfront”.

Alijaj ka shtuar se për pesë vjet narrativa udhëhiqet nga kryetari i VV-së, e se të tjerët janë “përcjellës” të narrativës së tij.

“Qoftë viti 2021, qoftë këto zgjedhje duhet t’i falënderohet opozitës për këtë rezultat të VV-së. Por nuk është faji i VV-së nëse këta gabojnë. Narrativa në këtë vend që 5 vjet udhëhiqet nga Kurti dhe këta tjerët janë vetëm përcjellës, nuk kanë arritur ta krijojnë asnjë alternativë”, ka thënë Alijaj.


Ramaj: E pamundur të mos shihen dështimet, ngritjen e Kurtit e mundësuan partitë opozitare

Saranda Ramaj, hulumtuese e politikave shëndetësore, ka thënë se është e pamundur të mos shihen dështimet e Qeverisë Kurti 2. Ramaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë duke marrë pjesë punën e Qeverisë Kurti 2, rezultati në zgjedhjet e parakohshme është shumë befasues. 

Por, Ramaj thotë se ngritjen e Kurtit e kanë mundësuar tri partitë tjera të mëdha shqiptare që do të mbesin në opozitë, bazuar në rezultatet preeliminare. 

“Nëse gjykojmë vetëm punën e Qeverisë ‘Kurti 2’, është shumë befasues ky rezultat. Sepse nëse i sheh një pjesë të madhe të sektorëve, unë sinqerisht, nuk e them me ndonjë revoltë, pasi nuk kam në asnjë dimension, por nuk di të numërojë profesionalisht se cilat janë rezultatet e secilit dikaster. E për mua është befasuese që qytetarët nuk e kanë ndëshkuar por e kanë shpërblyer. Jam e sigurt se ata i shohin mungesat e rezultateve sa herë i çojnë fëmijët në shkollë, sa herë shkojnë me marr trajtim në spitale publike, sa herë dalin në treg i shohin çmimet. Është e pamundshme të mos shihen efektet e qeverisjes Kurti. Dhe ky do të ishte gjykim shumë i verbër...Menbdoj se ngritjen e Kurtit e kanë bërë pikërisht partitë opzitare, të cilat ja kanë servuar fitoren. Qytetari që ka votuar nuk ka parë alternativë përveç Kurtit. Të tri partitë opzitare kanë dalë në opozitë kryesisht për shkak të akuzës për korrupsion. Kurti ka ardhur me luftën kundër korrupsionit”, tha Ramaj. 

Ramaj ka thënë se nëse shihet sektori i shëndetësisë, janë problemet e ngjashme si ato të para 7 vjetëve, vetëm se kanë ndërruar akterë. Ajo thotë se buxheti kësaj radhe ka qenë më i madh, por problemet janë të njëjta dhe për këtë qytetarët është dashur ta ndëshkojnë Qeverinë Kurti.  


Berisha: Çmenduri e opozitarëve, deshën të thonë: Edhe ne jemi të mençur si Albini

Juristi Durim Berisha ka thënë se rezultati nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë i pritshëm.

Por, “çmenduri” e ka quajtur politikën e partive opozitare që, sipas tij, kanë pritur rezultat ndryshe duke bërë të njëjtat gjëra.

“Ajo që më befasoi ka qenë një lloj çmendurie e partive opozitare, po e them çmenduri duke u bazuar në thënien e Albert Ajnshtajnit që thotë se njerëzit që bëjnë gjëra të njëjta dhe presin rezultate të ndryshme, kjo është çmenduri. Problemi është kur kthehet terreni politik në luftë të egove”, ka thënë ai në “Konfront”.

Berisha ka shtuar se kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka arritur t’i tërheqë të gjithë oponentët politikë në sferën e tij.

“Asnjë prej partive opozitare nuk është fokusuar t’i tregoj qytetarit se cila ësbtë zgjidhja për problemet që ka. Që sa vjet janë këto parti që kanë premtuar 200 mijë vende pune, janë njohur për pompozitet të premtimeve. Por ajo që e shohim në politikën kosovare është lufta e egove, ata kanë ra në grackën ku dëshirojnë ta bindin qytetarin ‘edhe ne jemi të mençur si Albini’”, ka përfunduar ai.