Arbëri

Bëhet thirrje për ndërgjegjësim në diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit

Mbi 600 raste të reja të kancerit të gjirit janë regjistruar gjatë vitit të shkuar në Kosovë, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër kancerit, të enjten është bërë thirrje për ndërgjegjësim të shoqërisë mbi rëndësinë e identifikimit të hershëm të sëmundjes

Kontrollet e shpeshta për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit janë theksuar si të rëndësisë së veçantë në hapje të enjten të fushatës ndërgjegjësuese kundër kësaj sëmundjeje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nëpërmjet ndërgjegjësimit të të tjerëve mund të ndryshohen statistikat dhe të shpëtohen shumë jetë.

“Në Kosovë, vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra, por edhe raste të burrave. Ky realitet na obligon që kanceri i gjirit të trajtohet si prioritet kombëtar shëndetësor”, ka theksuar Kurti në hapje të fushatës sensibilizuese.

E ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se kanceri i gjirit mund të mposhtet me diagnostikim të hershëm.

“Vetëkontrolli, kontrollet e shpeshta në rastet e dyshimeve, si dhe mamografia janë shumë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, për parandalimin dhe shërimin e saj”, ka thënë ai.

Nafije Latifi, e cila është e mbijetuar e kancerit të gjirit, si dhe drejtoreshë në shoqatën “Jeta Vita”, ka shprehur vërejtjen se me gjithë përmirësimet e bëra në sistemin shëndetësor, pacientët ende hasin në kushte të pamjaftueshme të trajtimit.

“Pacientët hasin në kushte të pamjaftueshme trajtimi, mungesë stafi të mesëm sidomos shëndetësor, mungesë të lokacioneve e aparaturave të avancuara. Më e dhimbshmja nga këto është mungesa e kujdesit paliativ, i cili do të duhej të lehtësonte vuajtjet e fundit të pacientëve”, ka theksuar ajo.

E përvojën e saj me diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit e ka ndarë me të pranishmit në organizim deputetja e Kuvendit, Mimoza Kusari-Lila.

“U ballafaqova me një sfidë po e them me veten time, të lehtë. Po e them të lehtë për shkak se zërat sikur ajo e zonjës Nafije që kanë punuar ndër vite të tëra që ta heqin tabunë nga tregimi i secilit të prekur me kancerin, të bën të marrësh përsipër edhe një kapelë shtesë, atë të avokimit, atë të shtyrjes dhe ballafaqimit me frikën për të gjitha gratë e burrat që frikësohen të bëjnë analizë”, është shprehur ajo.

“Me ty fillon parandalimi”, është edhe motoja e këtij viti e muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Në kuadër të aktiviteteve të parapara është edhe vendosja e një mamograf mobil, i cili gjatë këtij muaji do të udhëtojë në 17 komuna të Kosovës.