Arbëri

BE-ja s’i jep të drejtë Qeverisë që borxhi për rrymën në veri të paguhet nga Fondi Zhvillimor

Në Bashkimin Evropian dolën kundër vendimit të Qeverisë që borxhin ndaj KOSTT-it për rrymën e shpenzuar në veri ta paguajë me mjetet e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit. Sipas BE-së, vendimi nuk është në harmoni me ujdinë e arritur 11 vjet më parë midis Kosovës dhe Serbisë. E në Qeveri nuk e kanë komentuar këtë qëndrim të BE-së

Bashkimi Evropian nuk e sheh si të drejtë vendimin e Qeverisë për shlyerjen e borxhit ndaj KOSTT-it për rrymën e shpenzuar në veri me paratë e mbledhura në Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit, që u krijua me marrëveshje të Brukselit për serbët e kësaj pjese.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë në një mbledhje të Qeverisë në dhjetor se borxhi i papaguar prej më se dy dekadash për rrymën në veri, krahas kursimeve në katër komunat veriore, do të paguhet edhe me mjetet e këtij fondi.

“Në mënyrë që të paguhet një pjesë e këtyre borxheve, kemi kërkuar nga katër komunat veriore që të deklarojnë buxhetin e tyre si kursim, përfshirë edhe Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit, që tashmë është i alokuar në këto komuna”, tha Murati.

Por në një përgjigje për KOHËN, në Zyrën e BE-së në Kosovë thanë se përdorimi i këtyre mjeteve për pagesën e rrymës në veri nuk është në kuadër të kritereve që i përcakton Marrëveshja e Brukselit.

“Shlyerja e borxheve të energjisë elektrike nuk i plotëson kriteret për financimin e projekteve nga Fondi i Zhvillimit, të cilat janë të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit për mbledhjen e të ardhurave doganore të datës 17 janar 2013”, u tha nga Zyra e BE-së.

Lidhur me këtë qëndrim të BE-së, në Qeveri nuk kanë dhënë përgjigje.

Janë bërë 11 vjet që nga krijimi i Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit, që financohet nga tarifat doganore të mbledhura në pikëkalimet kufitare në Jarinjë e Bërnjak për t’i destinuar ato në infrastrukturë, shërbime sociale për serbët e veriut, në ngritjen e kapaciteteve institucionale, kulturë, sport dhe bujqësi.

Bazuar në të dhënat e BE-së, që nga themelimi i tij janë ndarë mbi 14.5 milionë euro për projekte të ndryshme, teksa aktualisht në dispozicion janë 3.6 milionë euro për disbursimin e projekteve të reja.

“Gjithsej, 36 projekte janë financuar nga Fondi për Zhvillim në katër komunat veriore, nëntë në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej afro 7 milionë euro, njëmbëdhjetë në Zveçan mbi 3 milionë euro, nëntë në Zubin- Potok mbi 2,5 milionë euro, dhe shtatë në Leposaviq në vlerë mbi 2 milionë euro. Projektet u fokusuan në ndërtimin dhe rehabilitimin e objekteve kulturore ose sportive, ndërtimin dhe riparimin e rrugëve lokale, mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe shoqërinë civile, riparimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërtimin e rezervuarëve të ujit të pijshëm, blerjen e pajisjeve mjekësore etj”, u tha nga Zyra e BE-së.

Deri më tash, nga kursimet e komunave dhe nga mjetet e marra nga Fondi, Qeveria me vendim ka paguar 11.8 milionë euro borxh ndaj KOSTT-it për rrymën në veri. E kësaj ndërmarrjeje i detyrohet edhe 18.9 milionë të tjerë.