Arbëri

BE-ja pret zgjidhje për targat, Qeveria insiston në konvertimin e tyre

Targat si simbol i hendekut mes Kosovës dhe Serbisë

Derisa vazhdon të rrjedhë afati i qeverisë për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS, emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pret që brenda dy muajsh të arrihet një marrëveshje, e cila e bën palë edhe Serbinë. Por kryeministri Albin Kurti ka insistuar se vendimi do të zbatohet duke iu bërë thirrje serbëve t’i regjistrojnë veturat në RKS. Në anën tjetër, pala serbe vazhdon të flasë për mundësinë e kthimit të tensioneve për shkak të targave

Emisari i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pret që brenda dy muajsh të gjendet një zgjidhje për targat ilegale të Serbisë. Optimizmin e ka shfaqur pavarësisht përcaktimit të kryeministrit Albin Kurti që serbët deri në fund të tetorit, kur edhe përfundon afati, t’i përgjigjen thirrjes për kalimin nga targat ilegale në ato RKS.

“Vendimi i Qeverisë në Kosovë është që procesi të përfundojë deri në fund të tetorit. Pra, kemi dy muaj për të gjetur një zgjidhje dhe tashmë jemi në atë proces. Tashmë kemi zhvilluar biseda me presidentin Vuçiq dhe me kryeministrin Kurti për këtë temë. Ne ishim në errësirë ​​për dokumentet e identifikimit dhe dokumentet hyrëse-dalëse. Sa u përket targave kemi të paktën dy muaj kohë për ta zgjidhur, besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Lajçak, në Forumin e Bledit në Slloveni.

I pyetur se si e sheh zgjidhjen për targat, ai ka shtuar se palëve u janë propozuar disa ide, por të cilat ka refuzuar t’i shpalosë.

“Sidomos sepse ne u kemi propozuar disa ide partnerëve tanë. Kështu që nuk do të ishte mirë që unë të dilja publikisht tani. Dua të them se do të ishte vërtet më mirë, në vend që të zgjidhim krizat, t'i përkushtoheshim thelbit të procesit, normalizimit, që njerëzit të jetojnë normalisht, që të mos mendojnë se çfarë do të ndodhë nesër, pas një jave, në një muaj dhe besoj se do ta arrijmë këtë. Kemi pasur bisedën e parë mes dy liderëve para dy javësh në Bruksel për këtë temë. Ai takim tregoi se ata mund të bisedojnë edhe pse nuk pajtohen për shumë çështje”, ka deklaruar Miroslav Lajçak.

Por kryeministri Kurti një ditë më herët e përsëriti se do t’i shkojnë deri në fund zbatimit të vendimit për targat, teksa i ftoi serbët që t’i konvertojnë ato në RKS.

“Sa i përket 1 shtatorit, vazhdon fushata për konvertimin e targave nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviqit e Serbia e secilit pushtet i ka vazhduar, tek ato që janë legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës. Kjo të vazhdojë deri më datën 31 tetor”, ka thënë ai.

I pyetur për veprimet që mund t’i ndërmarrin nëse vazhdojnë të qarkullojë vetura me targa ilegale pas skadimit të afatit, Kurti e ka përsëritur se nuk e bën rolin e policit, doganierit apo prokurorit.

Kurti zbuloi ditë më parë se një nga propozimet e Lajçakut kanë qenë targat neutrale për serbët në veriun e Kosovës. Por ai e ka kundërshtuar opsionin e targave të UNMIK, prodhimin e të cilave Kosova e ka ndërprerë në vitin 2018.

Sipas vendimit të Qeverisë, regjistrimi ka nisur nga 1 gushti dhe do të zgjasë deri më 31 tetor të këtij viti. Kësisoj, pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, u është mundësuar regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë.

Në anën tjetër, pavarësisht shmangies së tensioneve më 1 shtator, kur pritej që Kosova ta aplikonte reciprocitetin në letërnjoftime, zyrtarët serbë kanë vazhduar të dramatizojnë. Sipas tyre, tensionet mund të rikthehen nëse qeveria insiston në targa RKS për serbët e Kosovës.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se nuk e di çfarë mund të ndodhë më 1 shtator, kur Qeveria e Kosovës do të fuqizojë vendimin për të ndaluar targat e Serbisë të lëshuara në emër të qyteteve të Kosovës. Kurse vartësi i saj, Petar Petkoviq, ka deklaruar se serbët kurrë nuk do t’i pranojnë targat RKS.

“Nuk ka kaluar as një ditë qëkur jemi marrë vesh për dokumentet personale, dhe Albin Kurti ka vazhduar me kërcënime dhe biseda të reja se si pas dy muajsh do të fillojë zbatimin e vendimit që targat KM të mos ekzistojnë më në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe se ato duhet të zëvendësohen në tabelat RKS. Ne nuk do ta pranojmë këtë, populli serb nuk e pranon këtë”, ka paralajmëruar Pektoviq.

Qeveria vendosi reciprocitet edhe për targa të veturave vitin e kaluar pas të cilit vendim serbët bllokuan për dy javë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.