Arbëri

BE: Hapat në heqjen e masave varen nga deeskalimi i qëndrueshëm në veri

“Hapat e radhës do të varen nga progresi në terren lidhur me pritjet tona dhe janë të kushtëzuar me deeskalimin e qëndrueshëm në veri”, i ka thënë KOHËS një zëdhënës i BE-së. E, disa diplomatë evropian thonë se heqja e këtyre masave akoma është vetëm simbolike dhe nuk shohin gatishmëri nga ana e Komisionit Evropian dhe disa vendeve anëtare që të hiqen së shpejti edhe masat tjera

Burimet në Bashkimin Evropian (BE) kanë konfirmuar si hapa të parë në heqjen graduale të masave ndaj Kosovës ishin asistenca teknike rreth Mjeteve të reformave dhe rritjes dhe rifillimi i punës së nën komisioneve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Por heqja e masave tjera ndëshkuese kushtëzohet me hapat që Kosova duhet të merr për të de përshkallëzuar tensionet në veri të vendit.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka rikujtuar se në dhjetorë të vitit 2024 Këshilli i BE-së kishte deklaruar se BE-ja do të heq gradualisht masat paralelisht me hapat tjerë të Kosovës për të deeskaluar tensionet në veri.

“Në këtë drejtim Komisioni ka bërë hapat e parë për heqjen e disa masave. Më konkretisht, kjo ka të bëj me katër projekte të asistencës teknike për investimet e ardhshme nën Mjetet për reforma dhe rritje dhe rifillimin e nën-komisioneve të Marrëveshjes së stabilizim asocimit”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

“Hapat e radhës do të varen nga progresi në terren lidhur me pritjet tona dhe janë të kushtëzuar me deeskalimin e qëndrueshëm në veri”, thuhet më tej në këtë përgjigje të zëdhënësit të BE-së.

Bashkimi Evropian nuk ka dashur të japë më shumë hollësi rreth heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat janë vendosur para më shumë se dy vjetësh.

Masa për të cilën thuhet se është hequr, pra asistenca teknike në kuadër të Mjeteve për reforma dhe rritje, ka të bëjë me projektet të cilat janë paraqitur përsëri dhe janë aprovuar në fund të korrikut nga bordi i Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa sa i përket rifillimit të punës së nënkomisioneve të MSA-së, me 10 korrik në Prishtinë ishin zhvilluar takimet e nënkomisioneve për Tregti, Industri, dogana dhe tatime.

Disa diplomatë evropianë thonë se heqja e këtyre masave akoma është vetëm simbolike dhe nuk shohin gatishmëri nga ana e Komisionit Evropian dhe disa vendeve anëtare që të hiqen së shpejti edhe masat e tjera. Për këtë presin të shohin veprime konkrete nga ana e autoriteteve të Kosovës në veri.