Bashkimi Evropian ka thënë se është duke ndjekur për së afërmi rastin e ndihmësdrejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviqit, të arrestuar nga autoritetet e Kosovës, dhe ka bërë ftesë që të evitohen deklaratat dhe veprimet që shkojnë kundër normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, apo siç thuhet në prononcimin e BE-së “mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Kjo thuhet në një përgjigje të zëdhënësit të Komisionit Evropian në pyetjet që janë parashtruar për këtë rast.
“BE është duke ndjekur për së afërmi rastin e Igor Popoviqit dhe ka marr në dijeni vendimin e gjykatës themelore të Prishtinës. Ne presim që sundimi i ligjit dhe procedura përkatëse të respektohen në tërësi”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
“Çfarëdo mase e heqjes së lirisë duhet të jetë e justifikueshme dhe proporcionale. Vetëm përmes procesit të dialogut mund të arrihet progresi në normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Deklaratat dhe veprimet që nuk janë në përputhje me këtë qëllim duhet të evitohen”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Beogradi ka reaguar ashpër ndaj këtij arrestimi duke akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare.
Popoviqit iu caktua masa e paraburgim prej një muaji pas arrestimit më 18 korrik. Ai kishte mbajtur fjalim kundër UÇK-së në Hoçë të Madhe.