Arbëri

BE-ja nuk saktëson se cilin nga institucionet shtetërore do ta takojë Kallasi në Kosovë

Kaja Kallas

Foto: Associated Press

Përderisa për vizitat në Beograd dhe Shkup thuhet qartë se do t’i takojë presidentët, kryeministrat, ministrat etj, për vizitën në Kosovë vetëm thuhet se “do të takohet me përfaqësuesit e partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile”.

Shërbimi Evropian i veprimit të jashtëm (EEAS)  ka lëshuar një komunikatë lidhur me vizitën që më 21 dhe 22 maj, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas do t’i bëjë Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Është kjo vizita e saj e parë në këto vende, prej kur para gjysmë viti kishte marrë përsipër postin e shefes së diplomacisë së BE-së.

Por, për vizitën në Kosovë nuk saktësohet në këtë komunikatë se me kënd do të takohet, që dallon shumë nga njoftimet precize që jepen për vizitat në Beograd dhe në Shkup.

Përderisa për vizitat në Beograd dhe Shkup thuhet qartë se do t’i takojë presidentët, kryeministrat, ministrat etj, për vizitën në Kosovë vetëm thuhet se “do të takohet me përfaqësuesit e partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile”.

“Në Serbi, përfaqësuesja e lartë Kallas do të takohet me presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministrin Gjuro Macut, me ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriq dhe ministrin e Integrimeve evropiane Nemanja Staroviq, kryetaren e Kuvendit, Ana Brnabiq dhe grupet parlamentare nga opozita. Ajo do të angazhohet edhe me studentët dhe shoqërinë civile. Konferenca për shtyp është planifikuar për orën 13:15”, thuhet në pjesën e njoftimit për vizitën në Serbi.

“Në Kosovë, përfaqësuesja e lartë Kallas do të takohet me përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile. Ajo do të zhvillojë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës. Përfaqësuesja e lartë Kallas do të vizitojë edhe Misionin e BE-së të sundimit të ligjit (EULEX). Ajo do të takohet po ashtu edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani”, thuhet në këtë njoftim.

“Në Maqedoninë e Veriut, përfaqësuesja e lartë Kallas do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski. Një konferencë e përbashkët për shtyp do të zhvillohet më 23 maj.  Ajo do të hapë dialogun e parë për mbrojtje mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut,  me ministrin e Jashtëm dhe Tregtisë, Timqo Muqunski dhe do të vizitojë task-forcën ballkanike mjekësore në prani të ministrit të mbrojtjes Vlado Misajlovski. Ajo do të angazhohet edhe me të rinjtë lokalë, studentët dhe profesionistët e rinj”, thuhet për vizitën në Maqedoninë e Veriut.

Një formulim i tillë i njoftimit, duke mos përmendur asnjë funksioner shtetëror të Kosovës, mund të jetë pasojë e paqartësive institucionale në Kosovë në këtë moment.