Takimi i Ministrave të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor do të jetë i pari i këtij lloji për ministrin në detyrë të Kosovës Glauk Kojufca. Temë do të jetë edhe dialogu për të cilin në BE, thonë se “nuk ka avancuar me dinamikën e dëshiruar“.
Të hënën në Bruksel do të zhvillohet takimi i përbashkët i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe atyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky takim do të jetë në mëngjes dhe do të jetë i pari i këtij lloji për ministrin në detyrë të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca. Më pas, të njëjtën ditë, ministrat e BE-së në takimin e Këshillit të Çështjeve të Jashtme do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Duke u përgjigjur në pyetjen e KOHËS për fokusin e këtyre diskutimeve, një diplomat i BE-së tha se fokusi do të jetë në rritjen e bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit, rritjen e rezistencës së këtyre vendeve ndaj ndikimeve të jashtme negative, përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe po ashtu edhe raportet mes vetë vendeve të rajonit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne do të dëgjojmë së pari ministrat e vendeve të rajonit se çfarë kanë ata për të thënë. Pastaj do të vazhdojmë në formatin e BE-së. Do të diskutojmë se si ta bëjmë më rezistent rajonin ndaj ndërhyrjeve negative të huaja, ndaj fushatave të dezinformimit. Do të diskutojmë edhe për përshtatjen e qëndrimeve në politikën e jashtme dhe pengimin e shkeljeve të sanksioneve”, ka thënë ky diplomat.
Temë do të jetë edhe pjesëmarrja e vendeve të rajonit në misionet e BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ku disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë edhe partneritet në këtë fushë.
“Do të diskutojmë edhe për bashkëpunimin rajonal mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo për ne është shumë e rëndësishme”, ka thënë ky diplomat i BE-së, duke përmendur në veçanti dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me të cilin ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
“Dialogu Beograd-Prishtinë, ndonëse ka pasur progres në muajt e fundit, megjithatë nuk e ka dinamikën që ne do të dëshironim ta shihnim deri më tash. Presim gjatë diskutimit një shtytje për të parë se si mund të avancohet kjo. Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, është e gatshme të luajë rolin e saj. Por duhet të kemi parasysh se edhe zgjedhjet në Kosovë dhe zhvillimet atje kanë ndikuar po ashtu edhe në procesin e dialogut”, ka thënë ky zyrtar i BE-së.
Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe ata të rajonit të Ballkanit Perëndimor do të flasin edhe për përgatitjet e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili në muajin qershor zhvillohet në Tivat të Malit të Zi.