Bashkimi Evropian ka konfirmuar zyrtarisht mbështetjen për iniciativën “Ballkani i hapur”, vetëm një ditë pasi një zyrtar i lartë i saj e bëri këtë. Në një përgjigje dërguar KOHËS, njëra nga zëdhënëset e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë se integrimi rajonal, që bazohet në rregullat e BE-së, i sjell vetëm përfitime Ballkanit Perëndimor.
“Integrimi rajonal, i bazuar në rregullat e BE-së dhe vërtet gjithëpërfshirës, mund të sjellë përfitime të prekshme për Ballkanin Perëndimor dhe për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse BE-ja kujdeset fort për bashkëpunimin rajonal. Mungesa e progresit në zbatimin e tregut të përbashkët rajonal ka penguar përfitimet e rëndësishme, veçanërisht për biznesin, investitorët dhe konsumatorët. Ne e mirëpresim atë që pjesëmarrësit e iniciativës për “Ballkanin e hapur” janë të përkushtuar për ta promovuar integrimin më të madh rajonal”.
Qeveria e Kosovës e ka përjashtuar mundësinë t’i bashkohet nismës, sikurse edhe Mali e Bosnjë-Hercegovina.
Por sipas zyrtares së BE-së, përfitimet nga nisma rajonale do të ishin më të mëdha me gjashtë shtetet e Ballkanit brenda.
“Mbetet e qartë se përfitimet më të mëdha do të vijnë nëse janë gjashtë. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të shënojnë përparim në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të krijuar në Samitin e Sofjes më 2020, me angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve. Kjo është e rëndësishme për të realizuar përfitimet e plota të integrimit rajonal, për të shfrytëzuar sa më mirë investimet sipas Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe për të lidhur më mirë të gjithë rajonin me tregun unik të BE-së”.
BE-ja po ashtu ka siguruar se do të vazhdojë ta mbështesë CEFTA-n, Komunitetet e Transportit dhe Energjisë në mënyrë që t’i sjellin përfitime tërë rajonit.
Të martën u mbajt takimi i radhës në Tiranë, ku komisioneri për zgjerim nxitit themeluesit ta zgjerojnë tryezën edhe me shtetet e tjera. Me këtë rast, u nënshkruan edhe pesë marrëveshje, të cilat lehtësojnë qarkullimin mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se nuk ka kthim mbrapa, pavarësisht qëndrimit që mbajnë shtetet e tjera.