Mosliberalizimi i vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian është përmendur si pengesë për integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Beograd. Ndërkaq zyrtarë të shteteve të fuqishme brenda BE-së kanë kërkuar më shumë përkushtim nga shtetet e Ballkanit sa u përket obligimeve që dalin nga Procesi i Berlinit, e ku si kryesorja është përmendur krijimi i tregut të përbashkët më së largu deri në vitin 2024
Integrimi i Ballkanit Perëndimor ka mbetur peng i mungesës së vullnetit brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sa u përket politikave të zgjerimit. Krahas shumë pengesave në raportet mes shteteve të Ballkanit dhe BE-së, në kryeqytetin e Serbisë, ku po mbahet edicioni i 11-të i Forumit për Siguri, është folur edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Nikola Dimitrov, e ka quajtur të padrejtë izolimin e kosovarëve sikurse edhe mosçeljen e negociatave për anëtarësim të shtetit të tij.
“Procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është ende në krizë. Kapitulli i fundit për Serbinë në kuadër të procesit të integrimit u hap në dhjetor 2019, kapitulli i fundit për Malin e Zi në qershor 2020, mos të flasim që s’ka liberalizim të vizave për Kosovën, negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë ngecur. Ne pajtohemi me atë se duhet bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe e dimë se krijimi i tregut të përbashkët do të ndikonte në rritjen e GDP-së deri në 10 për qind. Por ky bashkëpunim i yni nuk duhet të shihet si zëvendësim për integrim në BE”, ka theksuar Dimitrov.
“Pajtohem që duhet të punojmë më shumë për rajonin tonë jo vetëm sa i përket rritjes së GDP-së, por duhet të bëhemi edhe atraktivë. Pra ta krijojmë perceptimin se jemi në gjendje të sjellim edhe zgjidhje jo vetëm të jemi burim i problemeve. Procesi i vendimmarrjes në BE fatkeqësisht nuk është funksional në disa raste, prandaj është me rëndësi t’u tregojmë atyre se çfarë mund të bëjmë”.
Ndërkaq deputetja gjermane në Parlmentin Evropian, Viola von Cramon, ka kritikuar vendet anëtare duke thënë se Ballkanin e shohin si rajon të prapambetur që nuk duhet të merren shumë me të.
“Ky është kontinent evropian dhe është përgjegjësi e jona ashtu siç e ka theksuar edhe kancelarja Merkel më 2014. Kësisoj, pse është e vështirë për disa vende të marrin më shumë pronësi në proces. Pyetja që shtrohet këtu është si nuk përshpejtohet me integrim, apo siç u përmend nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën, ose nuk hapen negociatat për Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë. Këtu vijmë tek çështja se si të ndryshohet perceptimi i shumë vendeve të BE-së që nuk e kanë idenë se çfarë ndodh rreth Ballkanit dhe sa e rëndësishme është integrimi i qytetarëve të këtij rajoni. Jo vetëm politikanët por edhe shoqëritë e disa vendeve anëtare, shtetet e Ballkanit i shohin si zonë e mafisë ku ndodhin vetëm gjëra të këqija. Pra Procesit të Berlinit i duhet më shumë energji në mënyrë që të ulet edhe skepticizmi brenda anëtarëve të BE-së, në funksion në perspektivës së zgjerimit”, ka potencuar Cramon.
Komisioni Evropian kishte nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar të vitit 2012. Për të dëshmuar seriozitet në këtë proces Qeveria e Kosovës njëanshëm kishte filluar t’i zbatojë kriteret e udhërrëfyesit prej vitit 2009. Komisioni Evropian pati dhënë rekomandimin pozitiv në qershor 2018 dhe i njëjti ishte mbështetur edhe nga Parlamentin Evropian. Por çështja ka ngecur tek Këshilli i Ministrave të BE, ku shumë vende anëtare janë shprehur skeptike për shkak të mungesës së rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Megjithëkëtë, Kosova pranoi të bëhet pjesë e shumë nismave rajonale, me përjashtim të “Ballkan Open”, e cila në fillim ishte emërtuar si “Minischengen”.
Njëri ndër shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania, ka kërkuar nga vendet e Ballkanit që të fokusohen në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Procesi i Berlinit.
Kësisoj, udhëheqësja e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punë të Jashtme të Gjermanisë, Christian Hullman, ka thënë se shpreson që tregu i përbashkët në Ballkan do të themelohet deri më 2024. Por, sipas saj, edhe mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë paraqet problem për integrimin e rajonit.
“Çështjet dypalëshe pengojnë progresin e të gjithë rajonit, pasi e vështirësojnë bashkëpunimin rajonal. Për këtë arsye përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë. Të gjitha çështjet relevante duhet të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizim, prandaj të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim”, ka theksuar ajo.
Procesi i Berlinit ishte iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, dhe përfshin dymbëdhjetë shtete. Aty janë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në BE - Shqipëria, Bosnjë- Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,
dhe Serbia. Po ashtu janë edhe gjashtë shtete anëtare të Bashkimit Evropian - Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, dhe Sllovenia.
Përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe morën formë gjatë Samitit të Vjenës, me lëshimin e deklaratës së përbashkët për çështjet bilaterale.
Zëvendësdrejtori për Evropën Qendrore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Sylvain Guiaugue, ka premtuar se Ballkani do të jetë një nga prioritetet franceze kur ta marrin Presidencën e Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2022.
“Do të jetë punë e Francës për t’u siguruar që Ballkani Perëndimor të përfshihet në çështjet e rëndësishme gjatë presidencës sonë. Ballkani Perëndimor shihet si një kërcënim për sigurinë, pasi përbën një rrugë përmes së cilës emigrantët po vijnë në Evropë dhe po ashtu është një burim i krimit të organizuar. Megjithatë, rajoni po merr pjesë në misionet e politikës së përbashkët të sigurisë së Bashkimit Evropian dhe kjo është gjë e mirë”, ka thënë Guiague.
Me gjithë skepticizmin, sa i përket zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit, qytetarët e kërkojnë atë. Sipas të dhënave që ka ofruar sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, 62 për qind e qytetarëve ende mbështesin anëtarësimin në BE, por një e treta e tyre besojnë se nuk do të anëtarësohen në BE para vitit 2030.
“Më shumë njerëz besojnë se nuk do të anëtarësohen kurrë në Bashkimin Evropian dhe kjo është shqetësuese”, ka thënë ish-ministrja e Integrimit në Qeverinë e Shqipërisë.
Në edicionin e 11-të Forumit për Siguri në Beograd do të trajtohen tema që kanë të bëjnë me sigurinë dhe politikën e Ballkanit Perëndimor. Një pjesë e rëndësishme i kushtohet edhe dialogut mes Kosovës e Serbisë, ku një ditë më parë zyrtarë të BE-së dhe ata të Shteteve të Bashkuara kanë folur për rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale dhe ligjërisht të obligueshme mes dy vendeve.