Arbëri

BE-ja kërkon konsensus politik në Kuvend: Ndërpriteni bojkotin

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim me mungesën e përpjekjeve për ndërtimin e konsensusit ndërpartiak mes grupeve parlamentare për çështje të ndryshe në Kuvendin e Kosovës.

BE-ja i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ndërpresë ciklin e bojkotit dhe mospjesëmarrjen në votim.

“Kjo pengon dhe shtyn një numër reformash që direkt ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, zhvillimin socio-ekonomik, dhe fuqizimin e institucioneve të Kosovës dhe demokracinë. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha grupeve parlamentare të gjejnë gjuhë të përbashkët për të ardhmen e Kosovës dhe që të përfitojnë qytetarët e saj”, ka thënë BE-ja në një përgjigje për KOHËN dje.

PDK, LDK dhe AAK kanë bojkotuar votimet në Kuvend për një kohë. Deputetët e këtyre partive nuk kanë marrë pjesë në votime, përveç ku është hedhur një propozim nga ta. Të enjten është arritur konsensus për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

E, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend është lajm i mirë për Kosovën.

“Më në fund dritë e gjelbër për marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare që arritën të votohen nga konsensusi politik në Parlament. Përfitimet e këtyre marrëveshjeve do të jenë për gjithë popullin”, ka thënë ai.