Bashkimi Evropian ka shprehur domosdoshmërinë që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës. Zëdhënësi Peter Stano ka thënë se është zhgënjyes bojkotimi i zgjedhjeve nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe. Në këtë qëndrim, Stanos i ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke vlerësuar se për BE-në gjithmonë është fajtore veç Serbia
Bashkimi Evropian dhe Serbia kanë shprehur qëndrime konfrontuese të shtunën, përkitazi me zgjedhjet që një ditë më vonë do të mbahen në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që zgjedhjet të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen. Po kështu, ka shprehur domosdoshmërinë që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se është zhgënjyes bojkotimi i zgjedhjeve nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe.
“Është shumë zhgënjyese që Lista Serbe, që i përfaqëson serbët e Kosovës, ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore, pavarësisht se zgjedhjet janë shtyrë nga dhjetori në prill dhe afati për kandidatët është shtyrë gjithashtu. Sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësore dhe BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje”, ka thënë Stano.
Në këtë qëndrim, Stanos i ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke vlerësuar se për BE-në gjithmonë është fajtore veç Serbia.
“Serbia ka marrë pjesë në katër apo pesë cikle zgjedhore në Kosovë, e nuk do të duhej në asnjë, derisa të mos formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbëve. E dhjetë vjet pas, për këtë është fajtore edhe BE-ja, jo veç Prishtina. Ata nuk e formuan, ndërsa për fajtore e mbajnë vetëm Serbinë dhe përsëri serbët”, ka thënë Vuçiq.
Ai edhe të shtunën ua ka përsëritur qytetarëve serbë thirrjen që të mos dalin në votim. E kur u pyet nga mediat në Serbi se çfarë do të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve, Vuçiq theksoi se do të pasojë okupimi.
“Do të ndodhë okupimi i plotë, ajo gjë me të cilën njerëzit veçse janë mësuar. Por ata do të jenë të qetë dhe të përgjegjshëm, ne do t’ua ndajmë pagat dhe do të shohim që të luftojmë edhe më shumë për ta”, ka thënë Vuçiq.
Zgjedhjet në veri janë caktuar pas tërheqjes së serbëve të kësaj pjese nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë për konvertimin në RKS të targave ilegale, që janë lëshuar nga Serbia.
Zëdhënësi i BE-së ka shprehur qëndrimin se serbët duhet të kthehen në institucione.
“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë ishte angazhuar me të dyja palët për t’i ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, ka thënë zëdhënësi Stano.
Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.
Në zgjedhjet do të garojnë 10 kandidatë për kryetarë të katër komunave dhe vetëm një është nga komuniteti serb. Paraprakisht, edhe një kandidat tjetër serb kishte hyrë në garë, por ai u tërhoq nga gara tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të së dielës në veri të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje kanë adresuar të shtunën nga Bashkimi Evropian.
Një ditë para procesit zgjedhor në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin-Potok, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka vlerësuar si imperativ kthimin dhe pjesëmarrjen aktive të qytetarëve serbë në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor.
Ai ndërkaq e ka ripërsëritur zhgënjimin për mospjesëmarrjen e partisë kryesore serbe të Kosovës, Lista Serbe, në zgjedhje.