Bashkimi Evropian tha të enjten se do t’i ulë në mënyrë drastike kërkesat për azil nga shtatë vende në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi, duke i konsideruar ato si vende të sigurta origjine, raporton agjencia “AP”.
Kjo ka shkaktuar zemërim të gjerë nga grupet e të drejtave të njeriut në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve. Në mesin e vendeve të konsideruara si të sigurta është edhe Kosova.
Një marrëveshje mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, thekson se vendet do të konsideroheshin të sigurta nëse u mungojnë “rrethanat përkatëse, si dhuna, pa dallim në kontekstin e një konflikti të armatosur”.
Kështu që kërkesat për azil nga azilkërkuesit nga Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, Kosova, India, Maroku dhe Tunizia, do të “përshpejtohen proceduralisht".
“Lista mund të zgjerohet në të ardhmen, sipas procedurës së zakonshme legjislative të BE-së”, është paralajmëruar në marrëveshje.
Po ashtu në mesin e vendeve të vlerësuara si të sigurta origjine janë edhe shtetet kandidate për anëtarësim të BE-së, me përjashtim nëse ka rrethana të ndryshueshme si: situatë të një konflikti të armatosur ndërkombëtar apo të brendshëm, masa restriktive të të drejtave themelore dhe lirive.
Koncepti i vendeve të sigurta të origjinës u lejon shteteve anëtare të vendosin një sistem të veçantë të shqyrtimit të kërkesave të azilërkuesve. Sipas rregullores së procedurës së azilit të vitit 2024, të miratuar si pjesë e Paktit për Azil dhe Migracion, shtetet anëtare duhet të zbatojnë një procedurë të përshpejtuar për aplikantët nga një vend të sigurt origjine dhe mund ta kryejnë atë në kufi apo zonat tranzit.
“Çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë dhe aplikojnë për azil edhe pse largohen nga vende të sigurta ku në përgjithësi nuk ka rrezik përndjekjeje. Sot ramë dakord për listën e parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit dhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, tha Rasmus Stoklung, ministri danez për Imigracion dhe Integrim.
Marrëveshja mes Këshillit dhe Parlamentit Evropian duhet të konfirmohet nga të dyja institucionet para se të bëhet miratimi zyrtar.
Rregullorja që përcakton vendet e treta të sigurta në nivel të BE-së parashikon gjithashtu përshpejtimin e zbatimit të disa dispozitave të Paktit për Migracion dhe Azil. Prandaj, këto rregulla specifike do të zbatohen sapo rregullorja të hyjë në fuqi. Lista e BE-së e vendeve të sigurta të origjinës do të fillojë të zbatohet në të njëjtën kohë me rregulloren e procedurës së azilit, më 12 qershor 2026.
Olivia Sundberg Diez nga Amnesty International tha se masat e reja “ishin një përpjekje e paturpshme për të anashkaluar detyrimet ligjore ndërkombëtare” dhe do t’i rrezikonin migrantët.