Policia ka ndërmarrë të martën bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj lidhur me dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore. Pas aksioneve, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar nga organet e hetuesisë. Në Prokurorinë Speciale kanë thënë se ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Pos tij, është intervistuar edhe kryeshefi i AUV-it, Bekim Hoxha
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është marrë në pyetje të martën nga Prokuroria Speciale lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore.
Në Prokurorinë Speciale kanë konfirmuar se Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për keqpërdorim me kontratën për dhënien me qira të këtij impianti.
Prokurori i rastit, Admir Shala, ka thënë se intervistimi i Pecit ka nisur pas bastisjeve që Policia i ka ndërmarrë lidhur me rastin në katër lokacione në Prishtinë e Ferizaj.
Prokurori Shala, ani se nuk ka ofruar hollësi, ka deklaruar se hetimet në këtë rast ndërlidhet me mënyrën e dhënies me qira të fabrikës.
E në Ministrinë e Bujqësisë kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me organet e rendit.
“Që nga dita e parë jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në një njoftim të kësaj ministrie.
Pos ministrit në detyrë të Bujqësisë, lidhur me rastin është intervistuar edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë, Bekim Hoxha.
Për intervistimin e Pecit, kanë reaguar ministret në detyrë të Drejtësisë dhe të Punëve të Jashtme, përkatësisht Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla.
“Jam shumë e bindur që ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë kohës sa ka qenë dhe sa vazhdon të jetë në Ministrinë e Bujqësisë. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ministri Peci. Ne e kemi pasur rastin që të diskutojmë edhe para disa ditëve edhe sot për këtë çështje, ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur gjithë këtë plan për ta dëmtuar ministrin Peci dhe Qeverinë Kurti”, ka shkruar Haxhiu.
E Gërvalla aksionin e ka quajtur “përndjekje të organeve të drejtësisë ndaj ministrit më shembullor”.
Ministri Peci është akuzuar një ditë më parë se ka bërë shkelje të Ligjit për pronë publike, pasi që, pa ankand publik, ia ka dhënë pronën publike me qira për 20 vjet një kompanie për fabrikë të mbetjeve shtazore.
Sipas kontratës, kompania fituese do të subvencionohet për çdo kilogram të mbetjeve shtazore që ajo i trajton.
Në një reagim të vonshëm të martën, partia Guxo ka thënë se Prokuroria Speciale po bëhet pjesë e lojërave politike, ndërsa akuza hodhën për prokurorin që po merret me rastin, dukë thënë se ka qenë pjesë e PDK-së në rini.
Reagimi i plotë:
Partia Guxo shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Prokurorisë Speciale, e cila dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike duke vënë në shënjestër Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2, z. Faton Peci.
E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren.
Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës.
Po ashtu, z. Peci ka qenë zëri dhe veprimi i lirimit të pronave publike të uzurpuara padrejtësisht, duke vepruar pa kompromis ndaj çdo forme të uzurpimit, pa dallime politike apo lidhje të tjera të ndikimit.
Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Bujqësisë ka përjetuar një ringjallje të vërtetë. Grantet dhe donacionet janë shpërndarë mbi bazën e meritës, duke u orientuar drejt fermerëve dhe bujqve që realisht kontribuojnë në zhvillimin rural dhe ushqimor të vendit.
Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.