Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Petrovci për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci.
Në mesazhin e ngushëllimit thuhet se Petrovci mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës.
“Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe gjithë komunitetit kulturor. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin”, ka thënë Osmani.
Petrovci ka vdekur në moshën 71-vjeçare. Ai ishte një nga themeluesit e Teatrit Dodona dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë. Krahas aktivitetit artistik, ai punoi edhe si pedagog në degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Basha: Petrovci, një nga figurat më të shquara të kulturës sonë
Kryeparlamentari, Dimal Basha, derisa ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit Enver Petrovci, ka thënë se sot Kosova ka humbur një nga figurat më të shquara të kulturës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha ka thënë se Petrovci ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën popullore.
“Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza. Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore”, ka shkruar Basha.
Ai tutje në emër të Kuvendit të Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komuhnitetit artistik.
Aktori dhe regjisori, Enver Petrovci, ka vdekur në moshën 71-vjeçare.
Krahas aktivitetit artistik, ai punoi edhe si pedagog në degën e aktrimit të Fakultetit i Arteve të Universitetit të Prishtinës.