Dhënia e barnave pa recetë mjekësore është bërë gjithnjë e më e zakonshme në barnatoret e Kosovës. Në Inspektoratin Farmaceutik thanë se ky fenomen është më i përhapur në Prishtinë dhe në Mitrovicë. E në Odën e Farmacistëve theksuan se ndër shkaktarët kryesorë është mungesa e farmacistëve të licencuar e mosfunksionalizimi i recetës elektronike
Arianita Hoti
Dhënia e barnave pa recetë mjekësore është shndërruar në një praktikë të zakonshme në shumë barnatore.
Ekipi i KOHËS i ka vizituar disa barnatore në kryeqytet për të verifikuar nëse barnat me recetë jepen edhe pa të.
Në njërën prej tyre ekipi ka kërkuar një antibiotik me dozë 500 miligramë, i cili, sipas ligjit, nuk lejohet të lëshohet pa përshkrimin e mjekut.
Edhe pse farmacistja fillimisht deklaron se ky bar nuk jepet pa recetë, ajo në fund e ofroi barin pa ndonjë dokument apo vlerësim mjekësor.
Këtë fenomen e ka konfirmuar për KOHËN edhe Inspektorati Farmaceutik i Kosovës, në një përgjigje të të cilit institucion theksohet se në fillim të këtij viti i ka gjetur disa shkelje në dhënien e barnave pa recetë dhe 173 shkelje të tjera nga farmacitë.
“Janë gjetur shkelje në 182 inspektime, si: në 101 raste mungesë e stafit profesional në barnatore; në 68 raste janë gjetur produkte të paautorizuara për qarkullim në tregun e Republikës së Kosovës; 9 raste për dhënie të produktit pa recetë mjekësore. Duke u nisur nga fakti se përqendrimi më i madh i subjekteve është në Komunën e Prishtinës, ky fenomen më i shprehur është në Regjionin e Prishtinës, si dhe në Komunën e Mitrovicës”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Sipas specialistes së mjekësisë familjare, Selvete Hyseni, bari me efekt të fortë qetësues është më i kërkuari, i cili jepet pa recetë.
Ajo tregon edhe pasojat që i ka ky ilaç i cili përdoret pa udhëzim të mjekut.
“Tabletat si diazepami, nuk duhet të merren pa recetë të mjekut specialist. Fatkeqësisht, shumë persona i marrin ato pa pasur fare vlerësim mjekësor dhe pa ditur nëse ka indikacion për përdorim, apo jo. Kam pasur raste ku pacientët i kanë konsumuar dy apo tri tableta njëkohësisht, gjë që u ka shkaktuar gjendje alivanosjeje, përgjumje të thellë dhe humbje të përkohshme të orientimit. Rreziku është edhe më i madh tek ata që më parë kanë përdorur substanca narkotike, shpesh vijnë dhe ushtrojnë presion që t’ua japim një rekomandim të shpejtë me shkrim, vetëm për ta mundësuar marrjen e barnave në farmaci, pa e pasur një vlerësim nga psikiatri apo neurologu”, ka thënë specialistja Hyseni.
Ky problem është ngritur edhe nga vetë Oda e Farmacistëve të Kosovës, e cila e ka shprehur shqetësimin për rritjen e këtij fenomeni.
Nënkryetari i Odës, Astrit Haxhijaha, në një deklaratë për KOHËN, i ka dhënë disa nga arsyet kryesore pse kjo praktikë po ndodh gjithnjë e më shpesh.
“Mendojmë që shkaqet kryesore të dhënies së barnave pa recetë po ndodhin për shkak të mungesës së farmacistit të licencuar në barnatore, i cili shpeshherë zëvendësohet me ndonjë profesionist tjetër shëndetësor. Ndërsa, faktori tjetër është edhe mungesa e recetës elektronike dhe mosfunksionalizimi i sistemit informativ shëndetësor”, ka thënë Haxhijaha.
Haxhijaha ka kërkuar nga qytetarët të cilët hasin në këso raste, t’i lajmërojnë ato në inspektorat.
E, zyrtarë të Inspektoratit Farmaceutik kanë thënë se pos inspektimit, ata janë duke i monitoruar edhe shitjet online, ku janë evidentuar raste të shitjes së suplementeve pa kontroll të duhur, dhe se rastet, sipas tyre, janë përcjellë për trajtim tek institucionet përkatëse.