Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se nuk sheh ndonjë ndryshim të madh në rezultatet e partive politike në zgjedhjet e 28 dhjetorit, krahasuar me ato të 9 shkurtit.
Baraliu në emisionin “60 Minuta” në KTV, tha se do të duhej të bashkoheshin ish-opozita ashtu siç kishin deklaruar se janë bashkë e kanë unifikim. Ai citoi edhe thënien e Ajnshtajnit se "nëse me metoda të njëjta vazhdon të synosh zgjidhjen e një problemi, rezultati nuk mund të dalë ndryshe nga ai që ka qenë".
“Po shkojmë në të njëjtën rrugë në të cilën kishim shkuar në zgjedhjet e kaluara duke prodhuar një rezultat të ngjashëm të cilin kishim. Do të ishte dashur që të bashkohen ata që deklaruan, ne të opozitës jemi bashkë, kemi unifikim. Ndërkohë nuk kemi asnjë lëvizje serioze që mund të prodhonte rezultat ndryshe. Ndryshimet në numrat e partive politike mund të jenë shumë simbolike. Meqë kemi narracione e orientime të njëjta si më parë, rezultati nuk mund të jetë dhe aq ndryshe. Ajnshtajni kishte thënë nëse me metodat e njëjta, veprimet njëjta, vazhdoni të veproni e punoni në zgjedhjen e një problemi, rezultati nuk mund të dalë ndryshe nga ai që ka qenë”, deklaroi Baraliu.
Kjo mund të prodhojë sipas Baraliut dalje shumë të vogël të qytetarëve në votime, sepse siç thotë – politika nuk është shah e as ping-pong.
“Janë po këta edhe sipas analizave, që e kanë përbuzur e zhgënjyer besimin e votuesit. Nuk po i pëlqen shumëkujt por e kanë gabim. Nuk është as shah e as ping-pong politika. Është profesion shumë delikat dhe respekt ndaj qytetarit mbi të gjitha”, deklaroi Baraliu duke iu referuar bllokadës shumëmujore pa institucione në Kosovë.
Sa i përket çështjes së presidentit, Baraliu tha se mundësi është që LVV-ja të marrë më shumë dhe të mos ketë nevojë për qeveri të pakicës, ose fitore të opozitës dhe bashkim të saj.
“Unë nuk dëgjova që ndonjë parti politike përmendi edhe koalicion pas-zgjedhor, qytetari do të mendohet mirë kësaj here kur ta hedhë votën. Sa i përket edhe zgjidhjes së çështjet së presidentit, ka dy mundësi: Lëvizja Vetëvendosje të marrë më shumë dhe pastaj të mos ketë nevojë për një qeveri të pakicës, ose fitore e opozitë së deri djeshme e cila nuk u bashkua fatkeqësisht”, deklaroi Baraliu në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Tutje njohësi i proceseve zgjedhore Baraliu, tha se iniciativa e KQZ-së për shtimin e qendrave të votimit në diasporë nuk është për t’u hedhur poshtë dhe sipas tij do të duhej të merrej me seriozitet.
“Iniciativa e KQZ-së nuk është për t’u hedhur poshtë, nuk e di se pse dhe në çfarë baze, varet sepse është autonom si autoritet PZAP-ja. Do të duhej të trajtohej me shumë seriozitet sepse është fjala për dhënien e një mundësie më tepër, ofrimin e mundësisë që drejtpërdrejt qytetarët në vendbanimet e tyre në vende të ndryshme kudo që janë jashtë vendit të votojnë. Nuk ka asgjë të keqe”, deklaroi Baraliu.
Baraliu megjithatë e quajti vendim legjitim të PZAP-së dhe sipas tij “mbetet të shihet edhe vendimi i Gjykatës Supreme nëse dikush ankohet në këtë instancë”.
Baraliu, poashtu theksoi se për shkak të datës në të cilën janë vendosur të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, votimi me postë mund të përcillet me vonesa.
“Për ata që votojnë me postë mund të ketë ndikim në vonesa, për shkak të festave. Koha ka dëshmuar që afatet e përcaktuara nga KQZ-ja për të votuar dhe mënyra e votimit me postë, nuk ka qenë më mira e mundshme e as më efektivja e mundshme. Ka pasur ankesa edhe nga partitë politike për këtë”, deklaroi Baraliu.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë ditës njoftoi se ka vendosur ta pranojë si të bazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që përfaqësitë diplomatike dhe hapësirat e tyre do të jenë qendra të votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, dhe jo hapësirat e tjera alternative, duke e ndryshuar vendimin e mëparshëm.